Sandulloviq-Hillit: Duhet t’ju vijë turp nga vetja /FOTO

E publikuar: 26/04/2024 20:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, e ka postuar një fotografi në platformën X ku shihet duke i shtrënguar duart me ish-kreun e OSBE-së në Kosovë, William Walker,për të cilin thotë se është miku i tij i madh dhe diplomat i shkëlqyer.

Për këtë fotografi, Sandulloviq thotë se edhe u pyet nga BIA në Serbi kur ishte rrëmbyer në janar.

“Më rrahën dhe torturuan me orë të tëra në zyrat e tyre, duke më kërkuar që t’u tregoja se nga e njihja Walkerin dhe të hiqja dorë nga miqësia me të. Dëshmia e përgjigjes sime ndaj tyre atëherë nën rrahje, është kjo foto e jona së bashku me një mesazh të qartë për të gjithë në Serbi dhe jashtë saj: ‘William Walker ishte, mbeti dhe do të jetë miku im sa të jetoj, dhe kurrë në asnjë rrethanë nuk do të heq dorë nga miku im’”, shkroi Sandulloviq.

Tutje ai në postimin e tij i parashtron një pyetje ambasadorit të ShBA-së në Serbi, Christopher Hill:

“Pse nuk iu përgjigjët pyetjes që William Walkerit kur ju bëri për atentatin tim, teksa unë luftoja për jetën time në burgun e Vuçiqit? Nuk keni guxuar të ndërhyni dhe komentoni për atentatin tim nga regjimi diktatorial i Aleksandër Vuçiqit? Pse nuk folët atëherë? A i justifikoni vrasjet politike në Serbi nga Aleksandar Vuçiqi ndaj kundërshtarëve të tij politikë?”

“Duhet t’ju vijë turp nga vetja, zotëri Christopher Hill, për atë se sa larg keni arritur ta rrëzoni veten dhe Amerikën”, shkroi politikani serb, Nikolla Sandulloviq.