Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të lirojë nga burgu Aleksandar Gjorçevskit, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me rrëmbyesit dhe vrasësit e vajzës së tij adoleshente Vanja, një ngjarje që tronditi opinionin publik.
“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton opinionin se pas seancës publike të mbajtur më 25.04.2024, Këshilli për vepra penale ka marrë Vendim me të cilin ankesa e të akuzuarit A. G., deklararuar përmes avokatit të tij mbrojtës Vladimir Tufegxhiq, avokat nga Shkupi, është pranuar dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Shkup KSŽ-320/24 i datës 04.02.2024, e ka ndryshuar dhe të akuzuarit i caktoi arrest shtëpiak dhe masë sigurie”, njoftoi sot Gjykata Supreme.
Seanca e sotme ishte e dyta para Gjykatës Supreme lidhur me masën e paraburgimit ndaj babait të Vanjës, pasi në mars të këtij viti Gjykata Supreme e hodhi poshtë si të pabazuar ankesën ndaj masës së paraburgimit të Gjorçevskit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkup.
Aleksandar Gjorçevski dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e vajzës së tij, të miturës Vanja Gjorçevska, e cila ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor dhe u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor.