Bashkimi Evropian mbështet kërkesën e Kombeve të Bashkuara për një hetim të pavarur ndaj raportimeve për zbulimin e varreve masive në dy spitale të Gazës të shkatërruar nga bombardimet izraelite.
“Ne jemi shumë të shqetësuar nga zbulimi i raportuar i varreve masive në Kan Jonis dhe në spitalin Al-Shifa, ndaj bëjmë thirrje për një hetim të pavarur që të sigurojë llogaridhënie për të gjitha dyshimet dhe të gjitha rrethanat pasi mund të ketë pasur shkelje të të drejtave ndërkombëtare të njeriut.” – tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një deklaratë.
Një ditë më parë, zyra e të drejtave të OKB-së tha se hetuesit ndërkombëtarë duhet të përfshihen në një hetim për zbulimin e trupave. Sipas OKB-së, shkatërrimi i dy spitaleve më të mëdhenj në Gaza, Al Shifës dhe kompleksit spitalor Naser në Kan Jonis ishte një ngjarje e tmerrshme.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës denoncoi të një ditë më parë se punonjësit e shëndetësisë kishin zbuluar rreth 340 trupa njerëzish të vrarë dhe të varrosur nga forcat izraelite në kompleksin Naser. Por ushtria izraelite i cilësoi të pabaza akuzat e palestinezëve. Sipas ushtrisë izraelite ata kanë vrarë rreth 200 militantë të Hamasit, të cilëve iu gjetën edhe rezerva armësh, në spitalin Al Shifa.