Barometri në Euronews Albania në pyetësorin e fundit ka bërë një skaner të vlerave tek të cilat besojnë më shumë shqiptarët.
Ata janë vendosur këtë herë përballë pyetjeve që pyesin për veprime apo fenomene si prostitucioni, homoseksualiteti, aborti, marrëdhëniet seksuale e divorci.
Për të kuptuar tolerancën ose jo të shoqërisë në Shqipëri në raport me këto vlera, një mijë persona mbi 18 vjeç janë pyetur ballë për ballë.
Vlerat e përgjigjes tregojnë se shoqëria shqiptare ka një mungesë tolerance për fenomene nga prostitucioni tek homoseksualiteti apo aborti dhe divorci, por në vlera të ndryshme për secilën nga ato.
Rezultatet e anketimit tregojnë se 91.2 për qind nuk e justifikojnë prostitucionin, 85.5 për qind nuk justifikojnë homoseksualitetin, 77.2 për qind nuk e justifikojnë abortin.
Po kështu përqindje e lartë e mosjustifikimit është edhe për marrëdhëniet seksuale spontane 64.8 për qind, divorci mbetet ende në vlera të larta me gjithë shifrat në rritje me 47.8 për qind të të anketuarve që shprehen se nuk e justifikojnë atë, dhe vlerën më të ulët në përqindje për mospranimin si veprim shqiptarët e kanë për marrëdhëniet seksuale para martese.