Opinionisti Rrahman Paçarizi, politikanin serb që ka vizituar varrezat e familjes Jashari dhe ka kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë, e quan të parëndësishëm.
Nikola Sanduloviq, politikan nga Serbia, është rrahur brutalisht javën e kaluar nga BIA serbe, pikërisht për shkak të postimit në X të videos ku ai vendos lule te varri i një pjesëtari të familjes Jashari.
E Paçarizi, në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ka thënë se politikani serb është edhe kontradiktor sepse në të kaluarën ka tentuar të organizojë aleanca ruse në Serbi.
“Sanduloviqi është krejtësisht i parëndësishëm. Madje jo veç i parëndësishëm, por edhe kontradiktor, prandaj edhe mungon një reagim i fuqishëm ndërkombëtar për rastin e tij. Ai trajtohet si një person të cilit i janë shkelur të drejtat njerëzore, por nuk çmohet në planin politik sepse ka qenë pjesë e përpjekjeve për organizimin e aleancave ruse në Serbi. Është politikan shumë kontradiktor dhe shumë i parëndësishëm në Serbi, nuk ka vota ai person. Mirëpo, mënyra qysh është marrë, është trajtuar e qysh po mbahet, është metodë ruse. Nuk është çështje vetëm e traditës serbe. Në traditën serbe janë ekzekutuar, është ekzekutuar (Zoran) Gjingjiqi, është vra (Ivan) Stamboliqi… Serbia di t’i vrajë, por kjo është metodë ruse. Kemi parë raste të tilla shumë te rusët. Dhe sa më shumë që i afrohemi zgjidhjes për Kosovën, Serbia ka me bë përpjekje që të bëjë dallëdi të tilla, dhe kjo po shihet ashiqare”, deklaroi Paçarizi.

















