Berisha u flet mbështetësve para banesës: Nuk do ta lëmë Shqipërinë pa opozitë

E publikuar: 07/01/2024 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u është drejtuar sërish nga dritarja mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij, në Tiranë.

Duke i falenderuar për praninë e tyre edhe në këtë ditë më shi, Berisha u tha se me qëndresën e tyre, demokratët i thanë jo përpjekjes për ta lënë vendin pa opozitë.

“Ju shpreh ju sonte mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh. Sonte në shi, në kushte të vështira ju dëshmuat se nuk ka asnjë pengesë para jush, në kthesën tuaj, në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij. Miqtë e mi! Në rast se mendojmë se çfarë është shpresa, ajo është rrezja që shpon çdo errësirë, çdo tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim. Në të vërtetë, shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, të cilët keni vendosur të përballeni me diktaturën. Jeni të vendosur që të qëndroni si opozitarë të pamposhtur, të mbroni liritë, të drejtat më themelore, dinjiteti njerëzor, nga narkoshteti i Edi Ramës që po rrënon çdo ditë Shqipërinë e shqiptarët”, tha Berisha.