Organizata Corrwatch ka kërkuar që të anulohet procesi rekrutues për Drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Kjo organizatë vlerëson se ky process është i paligjshëm dhe ka shkelur parimet e meritokracisë.
Më konkretisht, Corrwatch konsideron se kërkesa e përgjithshme e paraqitur në konkurs, më konkretisht ulja e përvojës së punës është në kundërshtim me Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Më saktësisht, sipas reagimit, me konkursin e ri kërkohen së paku pesë vite përvojë pune profesionale dhe dy vite përvojë pune menaxheriale.
“CorrWatch konsideron se kërkesat e përgjithshme formale ku bën pjesë edhe përvoja e punës janë vendosur në bazë të nivelit të detyrave dhe përgjegjësive që ka një pozitë specifike, prandaj zvogëlimi dhe mospërmbushja e tyre është shkelje e rëndë e cila e bën të paligjshëm të gjithë konkursin dhe procesin i cili supozohet të zhvillohet në bazë të tij”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
REAGIM PUBLIK
CorrWatch apelon të anulohet procesi rekrutues për Drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë përshkak të paligjshmërisë dhe shkeljes së parimeve të meritokracisë
Konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile #CorrWatch, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me konkursin për pozitën “Drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore” dhe kërkon anulimin e këtij konkursi.
Ne konsiderojmë që kërkesa e përgjithshme e paraqitur në konkurs, më konkretisht ulja e përvojës së punës është në kundërshtim me Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Më saktësisht, me konkursin e ri kërkohen së paku pesë (5) vite përvojë pune profesionale dhe dy (2) vite përvojë pune menaxheriale.
Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik (ligji i ri), sa i përket vlefshmërisë së kësaj rregulloreje, thekson që me kusht të mos jenë në kundërshtim në këtë ligj vlejnë aktet nënligjore në zbatim të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik. Meqenëse rregulloret e reja ende nuk janë hartuar paragrafi 2 i nenit 103 të Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik mbetet ende në zbatim. Thënë këtë, kjo Rregullore i përcakton kërkesat e përgjithshme formale për secilën klasë të shërbimit civil duke mos u kufizuar vetëm në shërbimin civil por përfshinë edhe pozitat e nëpunësve të shërbimeve publike ku përfshihet edhe pozita Drejtor Ekzekutiv ose Sekretar i Përgjithshëm. Rregullorja në fjalë (shtojca Nr.1/2, pika IV) i përcakton kërkesat e përgjithshme formale si në vijim:. c) Përvoja e punës e kërkuar: Së paku tetë (8) vite përvojë pune profesionale, duke përfshirë së paku pesë (5) vite përvojë pune në pozita drejtuese.
Vlen të theksohet që kjo është hera e dytë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) ulë kriteret për këtë pozitë. Në shkurt te vitit 2023, FSSH në konkursin e hapur për këtë pozitë, kishte kërkuar 5 vite përvojë pune profesionale dhe së paku tri (3) vite përvojë pune menaxheriale. Por që në mars 2023, pas dështimit të procedurës si pasojë e reagimit të CorrWatch, FSSH kishte rregulluar konkursin duke kërkuar tetë (8) vite përvojë pune profesionale dhe pesë (5) menaxheriale. Ndërsa tani kriteret janë ulur edhe më shumë, pra në pesë (5) vite përvojë pune profesionale dhe dy (2) vite përvojë pune menaxheriale. E gjithë kjo lëvizje dhe tendencë për zvogëlim të kritereve të përvojës lë dyshimin për kurdisje të kritereve për kandidatë të caktuar dhe gjetje nga jashtë të kandidatit preferencial që i përshtatet përvojës së zvogëluar.
Për CorrWatch mbetet shumë e paqartë se mbi cilën bazë janë përcaktuar kriteret e lartëpërmendura për konkursin e tanishëm. Madje, ende më diskutabil mbetet fakti se si FSSH ka përcaktuar tri lloje krejtësisht të ndryshme kriteresh përsa i përket përvojës së kërkuar, në të trija procedurat rekrutuese që ka hapur për këtë pozitë.
CorrWatch konsideron se kërkesat e përgjithshme formale ku bën pjesë edhe përvoja e punës janë vendosur në bazë të nivelit të detyrave dhe përgjegjësive që ka një pozitë specifike, prandaj zvogëlimi dhe mospërmbushja e tyre është shkelje e rëndë e cila e bën të paligjshëm të gjithë konkursin dhe procesin i cili supozohet të zhvillohet në bazë të tij.
Ulja e kriterit të përvojës në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikueshme, për një pozitë siç është pozita e Drejtorit të FSSH, e rrënon praktikën e përgjithshme për pozitat e nivelit drejtues në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, kjo qasje ngrit dyshimin e bazuar nëse kandidati i përzgjedhur me këtë kriter mund t`a përballojë nivelin e detyrave dhe përgjegjësive të kësaj pozite.
Ne konsiderojmë se shkelja e identifikuar përveç që cënon rëndë legjislacionin, është në kundërshtim edhe me vetë parimin e meritokracisë i cili duhet të zbatohet në pozitat e larta drejtuese e ku hyn edhe pozita e Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Përmes këtij reagimi CorrWatch kërkon që institucioni publik ta anulojë këtë konkurs dhe i njëjti të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për të siguruar meritokraci. Në të kundërtën, CorrWatch i bën thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për këtë rast, shkaku i plotësimit të elementeve të veprës penale që ka të bëjë me moszbatimin e legjislacionit të punësimit ashtu siç përcaktohet në nenin 218 të Kodit Penal.
Sinqerisht,
Konsorciumi #CorrWatch: GLPS, Instituti GAP dhe INDEP
















