Shpërthimi i kontrolluar uli tensionin dhe frikën e shkaktuar nga një alarm për bombë në derën e një shkolle të mesme dhe Drejtorisë Rajonale Arsimore në Durrës.
Në mëngjes, rreth orës 7, në sallën operative të Policisë së Durrësit erdhi një njoftim për një objekt të dyshimtë, një pako me një celular sipër, që ngjante me një bombë.
Policia ka krijuar menjëherë perimetrin e sigurisë në zonë, ku qartazi dukej pakoja e lënë në rrugë. Shkolla u evakuua me shpejtësi, ndërsa drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar ekspertët xhenierë.
Ata kontrolluan pakon nga jashtë, e më pas me anë të pajisjeve panë nëse kishte eksploziv. Procedura, e cila zgjati për rreth dy orë, ka përfunduar në orën 9 e 20 minuta.
Më pas, një pajisje shpërthyese ka goditur pakon, e cila ishte ndërtuar qëllimisht që t’i ngjante një bombe dhe të shkaktonte panik. Sipër ishte vendosur një celular i vjetër “Nokia”, nga ku dilnin dy fije.
Shpërthimi tregoi se brenda në pako nuk kishte eksploziv. Ndërkohë, policia ka nisur hetimin për të gjetur se kush ka dashur të shkaktojë panik me këtë imitim bombe. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë për të gjetur autorin.
Ngjarje të ngjashme ndodhën edhe në Tiranë një ditë më parë. Pranë Prokurorisë së Tiranës, një pako e ngjashme shkaktoi panik, e më pas një valixhe e lënë pranë RTSH-së u shpërthye në të njëjtën mënyrë nga forcat xheniere.
Të gjitha alarmet në Tiranë e Durrës kanë të njëjtën mënyrë organizimi, pako të mbështjella si bombë, apo valixhe, por pa eksploziv brenda dhe duket se qëllimi i autorëve është i njëjtë. Të shkaktojnë sa më shumë panik dhe terror psikologjik.