Daniel Serwer konsideron se çështja e Kosovës mund të zgjidhet brenda orës, nëse do Serbia

E publikuar: 17/02/2020 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori i Universitetit të Uashingtonit John Hopkins, Daniel Serwer konsideron se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të ndryshojë qasjen e Kosovës ndaj Serbisë.

Në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serwer ka vlerësuar se “janë të pakta vendet që kanë arritur më shumë për dymbëdhjetë vjet të ekzistencës”. Kështu ai i deklaroi “Zërit të Amerikës” në gjuhën serbe, transmeton Koha.

“Kryeministri Kurti ka thënë se do të kërkojë që marrëdhëniet me Serbinë të vendosen në bazë të reciprocitetit. Nuk jam i sigurt që Beogradi është i gatshëm për këtë, ndonëse mendoj se Kurti e kërkon këtë me të drejtë. Nuk pres ndonjë lëvizje domethënëse në raportet midis dy palëve deri pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi që mbahen në prill”, është shprehur ai.

I pyetur nëse ky është viti kur Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Interpolit dhe UNESCO-s, Serwer është përgjigjur “Se kjo është e pasigurt, duke pasur parasysh kundërshtimin e Serbisë e të Rusisë”.

“Çështja e anëtarësimit në Interpol e në UNESCI mund të zgjidhet brenda një ore, nëse pajtohet Serbia. Konsideroj se këtë duhet ta bëjë. Kur bëhet fjalë për Kombet Bashkuara ky është problem shumë më i rëndë, meqë, pavarësisht nga Beogradi, Moska do të përpiqet t’ia shesë shtrenjtë Uashingtonit, që Uashingtoni nuk do të dëshirojë ta bëjë”, konsideron Serwer, transmeton Koha.net.

Me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serwer është shprehur se nuk ka shumë vende që kanë arritur më shumë gjatë dymbëdhjetë vjetëve të ekzistencës. Siç ka thënë ai për asnjë shtet nuk mund të thuhet se është plotësisht stabil. Ai ka rikujtuar se në Kosovë kohë më parë është formuar qeveria e re demokratike.

“Media në Kosovë kryesisht janë të lira. Gjykata Kushtetuese vazhdimisht demonstron pavarësinë kundruall segmenteve të tjera të pushtetit. Sektori civil është i zhvilluar, sikundër edhe opozita. Është shënuar rritje edhe në sferën ekonomike, duke pasur parasysh përparimin e ngadaltë në territorin e Bashkimit Europian”, konsideron eksperti amerikan për Ballkanin.

Daniel Serwer detekton korrupsionin si njërin nga problemet më të mëdha të Kosovës bashkëkohore, me të cilin po ballafaqohen edhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Furnizimet shtetërore jotransparente dhe nepotizmi veprojnë si problemi më i madh i shoqërisë kosovare. Pres që pushteti i ri i Kosovës t’u përkushtohet atyre problemeve në mënyrën më të përshtatshme, në mënyrë që të eliminojë privilegjet që i kanë instaluar paraardhësit e tyre deri sa ishin në funksione shtetërore”, ka thënë Serwer.