Pas shkëputjes së kontratës me Z-mobile, më shumë se 200 mijë numra pritet t’i kthehen në pronësi Telekomit të Kosovës.
E ky kalim, do të bëhet më 28 nëntor, 120 ditë pas ndërprerjes së kontratës dhjetëvjeçare, raporton KTV.
Sipas kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi, asnjë konsumator nuk do të mbetet pa shërbime.
Ndërkaq, me shfrytëzimin e këtyre numrave, edhe të hyrat mujore të Telekomit pritet të jenë të larta.
Mbi 1.2 milion euro në muaj do t’i fitojë Telekomi me kthimin e numrave të Z-Mobilet.
E, me këtë pritet që edhe gjendja financiare e kësaj ndërmarrjeje publike të ketë përmirësime.
Në shtator të këtij viti, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve kishte vendosur që numrat, të cilët Z-mobile i kishte shfrytëzuar gjatë kontratës, t’i kthehen Telekomit të Kosovës.
Ndërkaq, lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate, përsëri Z-Mobile e ka paditur Telekomin në Arbitrazh, dhe kërkon 13.5 milionë euro dëmshpërblim.