Pas shkarkimit nga Unitedi, Mourinho u largua nga hoteli ku qëndroi 895 ditë dhe shpenzoi mbi 597 mijë euro

E publikuar: 18/12/2018 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jose Mourinho i ka thënë lamtumira stafit të hotelit Lowry, pasi u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit ditën e martë.

Strategu portugez ua ka zgjatur dorën punonjësve të hotelit dhe fotografëve, para se të largohej nga vendbanimi ku kishte qëndruar për 895 ditë.

I pyetur se si ishte, 55-vjeçari është përgjigjur shkurt: “Mirë, miku im”, ndërsa në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, ai dëgjohet duke u përshëndetur edhe me fotoreporterët.

Fundi i Mourinhos në Old Trafford erdhi mëngjesin e të martës, ndërsa Djajtë e Kuq i ka drejtuar për dy sezone e gjysmë.

Gjatë kësaj periudhe, klubi ka paguar 537.000 funte (597.090 euro) për qëndrimin e trajnerit në hotelin Lowry, ndërkohë që familja e tij ka mbetur me bazë në Londër.

Vajza e tij, Matilde, në verën që lamë pas diplomoi në Universitetin e Arteve të Londrës, ndërsa djali Jose Jr. ka luajtur për Fulhamin deri në prillin e vitit të kaluar.

Ai dështoi ta merrte kontrollin pas një sezoni kaotik me shumë mosmarrëveshje me disa prej lojtarëve të tij, si edhe me dështime të mëdha në rezultate që e kanë lënë Unitedin larg objektivave.

Aktualisht, Djajtë e Kuq mbajnë vendin e gjashtë në tabelë me 19 pikë prapa liderit Liverpool që e mposhti (tashmë ish-) skuadrën e Mourinhos të dielën më rezultat 3-1. /Telegrafi/