Lufta e Spanjës kundër jashtëqitjeve të qenve

E publikuar: 07/02/2018 07:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kush nuk ka shkelur ndonjëherë jashtëqitjen e ndonjë qeni dhe nuk e ka mallkuar pronarin e tij. Qyteti jugor i Spanjës, Malaga, ka gjetur tani një mënyrë të pazakontë për të disiplinuar pronarët e qenve.

Malagasit ende nuk po kuptojnë asgjë. Por policia mjedisore është tashmë rrugës për tek pronarët e qenve. Një detyrë krejtësisht e re për policët: ata kontrollojnë, nëse të gjithë qentë i janë nënshtruar testit të ADN-së.

Qyteti jugor i Spanjës, Malaga, duket se ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të disiplinuar pronarët e qenve. Që prej muajit janar aty është në fuqi një rregullore e re: të gjithë qentë duhet të regjistrohen në bazë të ADN-së, shkruan DW.

“Që nga 15 janari janë në fuqi gjobat. Tani vetëm po ju informojmë, por herën tjetër do t’ju gjobisim”, u thotë polici disa kalimtarëve që kanë dalë shëtitje me qentë e tyre.

Po si funksionon lufta kundër jashtëqitjeve të qenve? Për shembull nëse një qen dhjet fshehurazi, atëherë shtrohet pyetja, kush e bëri? Në zonat e banuara dhe në parqe ka mjaft “mina” anonime që kanë lëshuar qentë. Prej tani pronari i qenit do të dënohet me 500 euro nëse nuk e mbledh mutin që ka bërë qeni i tij në rrugë apo parqe.

Dhe për habi shumica e malagasve nuk mendojnë se gjoba është e lartë.

Unë jam dakord me shumën. Dënimi duhet të ketë efekt frikësues. Dhe që pronarët e qenve ta mbledhin jashtëqitjen e qenve, dënimi duhet të jetë vërtet i lartë”, thotë një grua. “Të vjen ndohtë kur sheh jashtëqitjet e qenëve në rrugë, ose kur sheh fëmijët që luajnë në park dhe shkelin pisllëqet e qenve”, shton një tjetër.

Nga analiza e ADN-së në jashtëqitjen e qenve mund ta gjesh lehtë pronarin dhe ta ndëshkosh atë.

Këshilli bashkiak i Malagës e mori këtë vendim një vit e gjysmë më parë. Dhe Luis Medina-Montoya, drejtor i Mjedisit, në bashkinë e qytetit thotë se të gjitha partitë e përfaqësuara në këshillin bashkiak janë dakord me vendimin. Ai është krenar që projekti i ADN-së tani po fillon të veprojë.

Dritë e gjelbër për një projekt ambicioz që deri tani në Evropë është realizuar vetëm në qytete të vogla, por jo në qytete të mëdha.

Po si regjistrohen qentë? Veterineri Emilio u merr gjak qenve, pastaj e dërgon gjakun për analizë dhe u vë qenve një shenjë në rripin e qafës, në mënyrë që policia ta shikojë që nga larg që qeni është i regjistruar.

Në këtë mënyrë mund të kontrollohen të gjithë qentë e qytetit, thotë Emilio. Por realiteti është ndryshe: kur kontrollorët shohin jashtëqitjet e qenve në rrugë është e vështirë që ata ta gjejnë se kush i ka bërë ato.

Deri tani në regjistrin e ADN-së në Malagë janë regjistruar vetëm 20,000 nga 100,000 qentë e qytetit. Dhe ka dyshime madhe se qentë i kanë regjistruar vetëm pronarët e mirë që e mbledhin me qese jashtëqitjen e qenve dhe jo neglizhentët.

Shumica e jashtëqitjeve të mbledhura në laboratorin e ADN-së u përket qenve të paregjistruar. Por përfundimet e analizave regjistrohen, në mënyrë që nëse gjendet pronari ai të vihet para përgjegjësisë.

Po me qentë e turistëve si është puna. Ata nuk testohen dhe nuk dënohen. Megjithatë Malaga e sheh veten si pararojë. “Ne na kanë ardhur kërkesa edhe nga Madridi dhe qytete të tjera të mëdha që kërkojnë të mësojnë nga përvoja jonë dhe që të marrin ndoshta vendime të ngjashme”, thotë Luis Medina-Montoya.

Pra se mos harroni ndonjëherë të merrni me vete qeset, ndryshe ju presin gjoba të majme. /Telegrafi/