Rënia e fortë e temperaturave në Kinë është bërë shkak i një spektakli të rrallë natyror: me termometrin që shënon -10 gradë Celsius, ujëvarat e pjesës jugore të qytetit Changzi kanë nisur të ngrijnë duke krijuar blloqe të trasha akulli dhe grupe të mrekullueshme stalaktitesh.
Zona e prekur llogaritet të ketë një gjatësi prej më shumë se 200 metrash. Shtresa e butë e dëborës, e kombinuar me spektaklin e veçantë të ujëvarave, ka krijuar një pamje piktoreske dimërore në mbarë zonën.
Por, ujëvarat e Changzisë nuk janë të vetmet që pësuan shndërrime të tilla prej të ftohtit të acartë.
Pamjet filmike të realizuara nga ajri tregojnë se si edhe pjesë të tëra të Lumit të Verdhë kinez janë kthyer gjithashtu në akull. Shtresa e tij shtrihet për gati 10 km, siç sqarojnë zyrtarët vendas. Fenomeni është më i dukshëm në zonën e Hukout, ku lumi vjen duke u ngushtuar.
Autoritetet lokale janë vënë në gjendje gatishmërie për çdo situatë emergjence dhe kanë organizuar grupe të ndryshme në terren për të inspektuar sektorët problematikë të lumit e për t’u siguruar se do të jenë në gjendje të ndërhyjnë menjëherë në rast se kjo do të jetë e nevojshme. /tch/