I dënuari për krime lufte në Kosovë, nis ligjërimin në Akademinë Ushtarake të Serbisë

E publikuar: 26/10/2017 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish komandanti i korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, gjenerali në pension dhe i dënuari i Hagës për krime lufte në Kosovë, Vlladimir Llazareviq, së shpejti do të nisë ligjërimin në Akademinë Ushtarake të Serbisë, shkruan “Novosti” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Siç e citon kjo gazetë, ai është shprehur se ndihet i nderuar që do të ligjërojë në atë akademi.

“Asnjëherë nuk jam fshehur, as gjatë agresionit të NATO-s, as tash nuk do të fshehem. Ndërsa kur shoh se nga vijnë kritikat për angazhimin e ish-gjeneralëve të Ushtrisë së Jugosllavisë, çdo gjë e kam të qartë. Qentë lehin, karvani ecë…” është shprehur ai.

Sipas një shkrimi të mëhershëm të “Novostit”, përveç gjeneral Llazareviqit, të dënuar të Hagës për krime lufte në Kosovë, në këtë akademi do të ligjërojnë edhe gjenerali në pension dhe anëtar i Partisë Radikale, Bozhidar Deliq, si dhe shefi aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq, po ashtu i apostrofuar për krime në Kosovë, transmeton Koha.net.

Për angazhimin e këtyre gjeneralëve për ligjërim në Akademinë Ushtarake të Serbisë kanë reaguar kancelaritë e Europës e të SHBA si dhe mediat e atjeshme.