Një ligj, i njohur me termin Veting, nëpërmjet të cilit skanohen figurat e zyrtarëve përpara se të punësohen në institucione të rëndësishme të shtetit, si në gjyqësor e prokurori, po planifikohet të bëhet edhe në Kosovë. Propozimin për hartimin e këtij ligji e ka përmendur kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërsa po përkrahet edhe nga partitë politike. Abelard Tahiri, drejtuesi i Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të jetë sponsore e këtij ligji, thotë se gjithçka ende është në fazën e konsultave. Por, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se Vetingu nuk duhet të përdoret për të persekutuar gjyqtarët e prokurorët, e as të keqpërdoret për interesa politike.
Sundimi i ligjit është një nga të metat kryesore me të cilat përballet Kosova prej vitit 1999. Bashkimi Evropian dhe organizata tjera kanë tërhequr vërejtjen në mënyrë sistematike për kontrollin e gjykatave dhe prokurorisë që ushtron politika dhe grupe tjera të interesit. Por, raportet deri më tani nuk kanë bërë punë. Së fundi, të inspiruar nga Shqipëria, krerët e partive politike po tentojnë të nisin një reformë në drejtësi që ka për qëllim pastrimin e zyrtarëve të korruptuar në Gjykata dhe Prokurori. Por a do t’ia dalë elita aktuale politike ta bëjë pastrimin e këtyre segmenteve nëse në mënyrë konsistente është akuzuar se vetë ka ngritur një sistem të tillë korruptiv?
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha për Gazetën Express se hartimi i Ligjit të Vetingut është në fazën e konsultave, ndërsa do të jetë i koordinuar ngushtë me Ambasadën Amerikane në Kosovë, Komisionin Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë që kanë ndikuar në sundimin e ligjit në vendin tonë.
“Sa i përket çështjes së Vetingut, unë jam në fazën e konsultave edhe me kryeministrin edhe me kryetarin e partisë sime se si do të procedoj më tutje”- tha Tahiri.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se partia e tij vazhdimisht do ta kërkojë krijimin e Ligjit të Vetingut. Sipas tij, ky ligj është i domosdoshëm por procesi duhet të rrjedhë pa implikime politike. “LDK-ja do të kërkojë në vazhdimësi Vetingun në sistemin tonë, pa implikime politike në këtë proces dhe është i domosdoshëm. Çështjen e Vetingut ne e kemi pasur pjesë të programit tonë zgjedhor”, tha Abdixhiku të enjten për Gazetën Express. Ai vlerëson se nëse politika e bën Vetingun dhe partitë politike kanë influencë, atëherë i gjithë procesi mund të dështojë.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Blerim Kuçi, po ashtu, e ka përkrahur këtë ligj. Ai mendon se për shkak të kaosit politik që është krijuar në vend, është koha e fundit për t’u bërë. “Ne jemi për shpresoj, por nuk kemi ende ndonjë lloj të qëndrimit zyrtar, por shpresoj që do të jemi për. Në nismë ka pasur edhe deputetë të Aleancës që kanë pasur dëshirë të fillojë ky proces”, tha Kuçi nëpërmjet telefonit për Gazetën Express.
Abelard Tahiri beson se Vetingu do ta ketë efektin e vet për parandalimin e parregullsive brenda dhe jashtë institucioneve. Por, sipas tij, nuk mjafton vetëm të iniciohen projektligje, të cilat në fund të ditës mund të mbesin vetëm në sirtarë dhe të mos merren parasysh fare. Ai përmend rastin e Projektligjit për kompetenca të zgjeruara për prokurorë dhe gjyqtarë për konfiskim të pasurisë së paligjshme prej vitit 2013 dhe ky ligj as edhe një herë të vetme nuk është marrë për bazë në as edhe një lloj gjykimi në Republikën e Kosovës.
Tutje, Lumir Abdixhiku vlerëson se Vetingu nuk duhet të përdoret si mjet politik për persekutimin e njerëzve të mirë të sistemit prokurorial, por të bëhet për t’i përjashtuar njerëzit që s’janë të denjë për këtë punë.
Ndërsa, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, thotë se urgjentisht duhet të trajtohet nevoja për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë, duke larguar policët, prokurorët dhe gjykatësit të përfshirë në afera korruptive. Sipas tij, i gjithë ky proces duhet të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese e ligjore, dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet nga ndërkombëtarët, përkatësisht nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania. Ai vlerëson se këtë proces duhet ta udhëheqin këto vende mike për të pasur proces me integritet, i cili do të nxjerrë jashtë të korruptuarit dhe njerëzit pa integritet. “Vetëm nëse këto vende ndihmojnë këtë proces të Vetingut mund të ketë sukses. Përndryshe nëse s’ka konsensus të gjerë politik në Kuvendin e Kosovës, në çfarëdo versioni që do të bëhej Vetingu, do të keqpërdoret për interesa politike dhe grupe të ndryshme të interesit”, tha Musliu për Gazetën Express.
Rikujtojmë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një konference për media ku edhe e dha propozimin për krijimin e Vetingut, pati thënë se Kosova do të jetë strehë e sigurt e të gjithë qytetarëve të vendit dhe se çështjet që janë të ngritura me hipoteza do të orientohen në mënyrë shumë të hapur. “Vendi ka nevojë për reforma në sistemin e drejtësisë”, kishte thënë ai.
Në Shqipëri ligji i njohur si Veting është miratuar vitin e kaluar, ky ligj rregullon mënyrën se si do të bëhet rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet publike dhe institucionet e reja të drejtësisë. /Gazeta Express/


















