I lodhur nga rutina e marrjes së një autobusi, apo vajtjes me biçikletë në punë çdo ditë, si dhe i stresuar nga rrugët plot trafik të Mynihut, Benjamin David ka marrë tashmë një vendim: do të shkojë në punë me not, njofton BBC.
Ai mbështjell laptopin dhe rrobat dhe i fut në një çantë rezistente ndaj ujit, e vendos atë mbi shpinë, vesh kostumin e notit dhe zhytet në lumin Isar për udhëtimin e tij.
“Unë shkoja në punë me biçikletë apo autobus, ndonjëherë edhe në këmbë. Por më duhej shumë kohë. Sot rryma në lumë duket e fortë dhe do të më duhen vetëm 12 minuta për të arritur. Është bukur, freskohesh dhe arrin shpejt”, tha Benjamin David, banor i Mynihut. Lokali i birrës ku ai punon ndodhet pranë lumit dhe frekuentohet shumë nga banorët e Mynihut, edhe për shkak të lokalit me rërë në breg.
“Në fakt unë e bëj këtë kryesisht në verë, por mund të bëhet edhe në dimër, kjo pasi kam një kostum të plotë uji. Ndonjëherë temperatura e lumit është vetëm 4 gradë Celsius, por është e pranueshme mendoj”, tha më tej Benjamin David. Për momentin, kjo trajektore e vajtjes në punë është freskuese, pasi temperaturat janë të larta, por siç thotë vet David, me kostumin e duhur të notit asgjë nuk mund ta ndalë atë edhe në dimër.
https://youtu.be/F81oG8gCTv0