Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me një delegacion japonez, është shprehur ‘’shumë i interesuar’’ që të marrë vlerësimet dhe komentet e këtyre të fundit lidhur me hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Rama, ka bërë të ditur se ai ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rreth asaj se sa ‘’e rëndësishme do të ishte përfshirja e Japonisë’’ në këtë projekt hekurudhor.
‘’Së bashku me kryeministrin e Kosovës, kemi folur më shumë se një herë se sa e rëndësishme do të ishte përfshirja e Japonisë në projektin e ri hekurudhor nga Durrësi në Prishtinë, i cili kalon përmes Nishit dhe lidhet me Evropën Qendrore.
Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për NATO-n, për shkak të portit të ri në Durrës, i cili do të ketë gjithashtu një degëzim hekurudhor që do t’u shërbejë 100 për qind aktiviteteve ushtarake dhe atyre të NATO-s.
Prandaj, ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse do ta shqyrtonit këtë projekt, do të ishim shumë të interesuar të merrnim vlerësimin dhe komentet tuaja, në bashkëpunim edhe me Qeverinë e Kosovës, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju ose me cilindo përfaqësues nga Japonia, për të parë se si mund ta realizojmë këtë projekt.’’, deklaroi Rama.
‘’Sot në Kryeministri me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze🇦🇱🤝🇯🇵
Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë’’, ka shkruar kryeministri shqiptar në postimin e tij.
































