Yahoo deklaron: 500 milionë llogari janë vjedhur

E publikuar: 22/09/2016 23:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Yahoo ka deklaruar të enjten se të paktën 500 milionë llogari të përdoruesve janë vjedhur, duke e cilësuar këtë si një nga shkeljet më të mëdha kibernetike të ndodhura ndonjëherë.

Kompania dyshon se një “aktor i sponsorizuar nga shteti” qëndronte pas shkeljes me të dhënat, që do të thotë se një individ vepron në emër të një qeverie.

Kjo shkelje thuhet se ka ndodhur në fund të vitit 2014.

“Informacioni i llogarisë mund të ketë përfshirë emrat, adresat e e-mail-it, numrat e telefonit, datat e lindjes, fjalëkalimet (shumica me bcrypt) dhe në disa raste çështjet e sigurisë të koduara ose të pakoduara dhe përgjigjet,” tha Yahoo në një deklaratë.

Yahoo u kërkon përdoruesve të ndryshojnë fjalëkalimin (password) dhe pyetjet e sigurisë, për të shqyrtuar llogaritë e tyre dhe aktivitetin e dyshimtë.

Lajmi i vetëm i mirë për përdoruesit është se të dhënat financiare, si numrat e llogarive bankare dhe të dhënat e kartës së kreditit nuk besohet të jenë të përfshira në informacionin e vjedhur, sipas Yahoo.

Kompania thotë gjithashtu se është duke u marrë në mënyrë ligjore me këtë shkelje.

Vjedhja e të dhënave në mënyrë masive u përfol për herë të parë në Gusht, kur një haker me emrin “Peace” , deklaroi se po shiste të dhënat e 200 milion përdoruesve online të Yahoo.

I njëjti haker deklaroi më parë se ka shitur llogari nga LinkedIn (LNKD, Tech30) dhe MySpace.

Yahoo fillimisht tha se ishte “në dijeni për një pretendim”. Gati dy muaj më vonë rezulton se situata është më keq./tvklan.al