Krizë e madhe në BH: Gjykata Kushtetuese ndalon referendumin Republikës Serbe, Dodiku nuk lëshon pe!

E publikuar: 17/09/2016 23:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krizë e madhe në BH: Gjykata Kushtetuese ndalon referendumin Republikës Serbe, Dodiku nuk lëshon pe!
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës, të shtunën ka kundërshtuar kërkesën e shtruar nga autoritetet e Republikës Serbe, që të rishqyrtojë vendimin e kontestuar që si Ditë e këtij entiteti të jetë 9 janari, duke ndaluar përkohësisht edhe mbajtjen e referendumit. Por, lideri i kësaj republike, Milorad Dodik, thotë se referendumi do të mbahet.

Sipas një deklarate nga Gjykata Kushtetuese, pas vendimeve të mëparshme të kësaj Gjykate, në nëntor të vitit 2015, autoritetet e Republikës Serbe nuk kanë dhënë fakte të reja që mund të ndryshojnë vendimin e tyre, ndaj u hodh poshtë kërkesa për rishqyrtim të vendimit.

Deklarata shton se Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e zyrtarëve boshnjakë, anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviqit, zëvendëskryetarit të parë të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, dhe të tjerëve, për të ndaluar përkohësisht mbajtjen e referendumit, që nga autoritetet e Republikës Serbe ishte parashikuar të mbahet më 25 shtator.

“Gjykata Kushtetuese është e bindur se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të vendimit për referendum, deri në vendimin përfundimtar për kërkesën e shtruar, nuk bie në kundërshtim me interesat e deklaruara. Gjykata Kushtetuese, për këtë arsye ka miratuar masë të përkohshme për pezullimin e vendimit për të thirr një referendum republikan”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

Ky vendim është bërë për të siguruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për të parandaluar minimin e rendit kushtetues.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar menjëherë presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, që tha se referendumin nuk do ta ndal kjo ndalesë e përkohshme.

“Ata nuk mund të pezullojnë vendimin tonë. Vendimin ynë mund të pezullohet vetëm nga Kuvendi Kombëtar dhe Kuvendin Kombëtar nuk do të tërhiqet. Ndaj, do ta mbajmë referendumin”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi i Kushtetues është në vazhdën e vendimeve që shkojnë “në dëm të popullit serb”.

Anëtari boshnjak i Presidencës së BH-së, Bakir Izetbegoviq, shpreson se serbët do të heqin dorë nga synimi i tyre.

“Shpresoj se Dodiku do ta anulojë referendumin për shkak se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për futjen e masës të përkohshme, vazhdimi i aktiviteteve për organizimin e referendumit paraqet shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”, ka thënë ai.

Në rast se Republika Serbe mban referendum për, siç thonë, autoritetin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare në entitet, Gjykata Kushtetuese mund t’i kërkojë Zyrës së Prokurorit të Shtetit të ndjek penalisht përgjegjësit që kundërshtuan vendimin. /Telegrafi/