Simiq thotë se ‘Lista Srpska’ mungoi veç për shkaqe të sigurisë, Mustafën e quan fëmijëror

E publikuar: 02/09/2016 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sllavko Simiq, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, duke folur për KALLXO.com në emër të këtij subjekti politik, përgënjeshtroi kryeministrin Isa Mustafa për arsyetimin e djeshëm kur e tërhoqi marrëveshjen për demarkacion nga rendi i ditës në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe Sllavko Simiq tha se ky subjekt mungoi në Kuvend për shkaqe sigurie.

Kryeministri Mustafa kur e tërhoqi dje Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, tha se e ndërmori këtë veprim mes tjerash për shkak të presionit ndaj deputetëve, por edhe koncesioneve që, sipas tij, po i kërkon një grup parlamentar.

Por Sllavko Simiq, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, duke folur për KALLXO.com në emër të këtij subjekti politik, përgënjeshtroi Mustafën.

“Dje Kryeministri Mustafa deklaroi se për shkak të mosardhjes së deputetëve të Listës Serbe u tërhoq nga rendi i ditës Projektligji i Ratifikimit të Marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi. Dua të them që është shumë fëmijërore dhe shumë e papjekur që cilido lider politik në Kosovë përgjegjësinë për mossuksesin ta hedhë mbi deputetët e Listës Serbe për shkak të tërheqjes së ndonjë ligji, ose marrëveshjeje nga procedura e votimit,” tha Simiq.

Ai më tutje deklaroi se Lista Serbe është partner “i përgjegjshëm dhe i sinqertë”.

“Lista Serbe është partner i sinqertë që fuqishëm insiston dhe punon që në Kosovë të sundojnë parimet themelore të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe respektit të ndërsjellë. Dëshirojmë dhe insistojmë që të gjitha bashkësitë në Kosovë të jenë të barabarta dhe që të eliminohet çdolloj diskriminimi. Nga një partner i tillë i sinqertë nuk duhet kërkuar justifikim alternativ për cilindo mossukses, pasi që deputetët dhe anëtarët e qeverisë nga Lista Serbe janë shumë të përgjegjshëm dhe partner stabil i koalicionit,” tha Simiq.

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, tregoi arsyen pse deputetët e këtij subjekti nuk morën pjesë dje në seancën e Kuvendit.

“Arsyeja e mosardhjes sonë në seancën e djeshme lidhej me situatën e sigurisë, e cila për shkak të organizimit të protestës mund të eskalonte dhe moskoordinimit të partnerëve tanë të koalicionit me Listën Serbe. Kjo është e vetmja arsye dhe arsye tjera që dolën në opinion se ne kushtëzuam dikë, ose diçka nuk ka,” shpjegoi Simiq për KALLXO.com.

Ai mohoi se kjo listë ka kushte për ta votuar demarkacionin.

“Përsëris që ende Lista Serbe është partner konstruktiv dhe ne gjithmonë në Kuvend pa marrë parasysh a bëhej fjalë për ndonjë marrëveshje apo projektligj, gjithmonë kemi qenë korrektë dhe gjithmonë i dizajnuam ligjet në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me interesat e të gjithë popujve apo bashkësive që jetojnë në Kosovë,” tha Simiq.

Ai deklaroi se nuk është e vërtetë që është arritur ndonjë pajtim që Lista Serbe ta votojë demarkacionin në mënyrë që partnerët e saj të koalicionit ta votojnë Asociacionin e Komunave Serbe, kur marrëveshja për të të vijë në Kuvend.

“Jo, absolutisht asnjë marrëveshje nuk është bërë për këtë çështje. Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është marrëveshje ndërkombëtare, e nënshkruar dhe verifikuar në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë, kështu që absolutisht nuk kemi dashur që të vendosim çfarëdo kushti për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Këto janë vetëm thashetheme, vetëm spekulime,” tha Simiq. /kallxo.com/.