Udhëheqësit politikë në vend e kanë dënuar sulmin mbi Kuvendin e Kosovës duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se “ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë” dhe ka shtuar se sulmuesit “janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si “atak ndaj pavarësisë” sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të enjten në mbrëmje.
Në një reagim të tij përmes rrjeteve sociale, Mustafa ka thënë se “akujt nuk i lejohet që të terrorizojë institucionet e vendit”, duke cilësuar Kuvendin si ” organin më të lartë legjislativ dhe simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik.
Kryeministri i Kosovës i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin dhe që kryesit e veprës të dalin përpara drejtësisë. Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për organet e ndjekjes për të zbardhur rastin.
Sulmohet me mjete shpërthyese Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës është sulmuar me mjet shpërthyes nga distanca, të enjten në mbrëmje rreth orës 23.00, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës,Daut Hoxha.
Ai tha se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Kuvendit por nuk ka pasoja në njerëz.
“Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në këtë rast”, tha Hoxha.
Policia e Kosovës tha se në një pjesë të qytetit të Prishtinës, jo larg nga vendi sulmit është gjetur një motoçiklete që po digjej, pak kohë pas shpërthimeve.

















