Selia e Odës Tregtare Kosovaro Turke në Prishtinë, ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit të ri të Drejtorëve të dalë nga Kuvendi i Përgjithshëm i muajit qershor.
Bordi i Drejtorëve të OTKT-së, që në përbërje ka përfaqësuesit e investitorëve më të mëdhenj në Kosovë, shprehu mirënjohjen e vet më të thellë për përkrahjen gjithëpërfshirëse që Kosova ia ka dhënë Turqisë dhe qytetarëve të saj, pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Republikën e Turqisë, njofton Klan Kosova.
Në këtë takim u tha se dënimi i ngjarjeve të ndera të datës 15 korrik nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kosovës, si dhe nga institucionet tjera relevante të vendit, i ka dhënë përkrahje të madhe demokracisë në Turqi dhe popullit turk.
Sipas Selisë së Odës Kosovaro-Turke, përkrahja e madhe të cilën opinioni publik kosovar ia dha kombit turk dëshmon edhe një herë lidhjet e ngushta ekonomike dhe shoqërore mes Kosovës dhe Turqisë.
Oda Tregtare Kosovaro Turke, ngjashëm me tërë opinionin publik në Kosovë i ndihet e lumtur me faktin që demokracia, si garantuese e ekonomisë së tregut dhe tregtisë së lirë, që janë parakushte të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, ka mbizotëruar.
Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë vazhdojnë të përkrahen nga institucionet relevante dhe perfaqësuesit e sektorit privat të të dyja vendeve, prandaj jemi të bindur se ato do të vazhdojnë përpjekjet për ta zhvilluar dhe avancuar edhe më tej miqësinë mes tyre dhe prosperitetin e të dyja vendeve.
















