Legalizimi i marihuanës mjekësore në Uashington ka çuar në ngritjen e plantacioneve të kultivimit. Një i tillë është ndërtuar jo fort larg Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin amerikan.
“Alternative Solutions”, në bashkëpronësi të Met Lauson-Bejkërit, është një ndër shtatë impiantet e autorizuara për kultivimin e marihuanës mjekësore për afro 3700 pacientë.
Teksa në vende të ndryshme të botës po shqyrtohet efektshmëria e masave përkundrejt kostove të ndalimit, në SHBA marihuana mjekësore është legalizuar në 24 shtete dhe në kryeqytetin Uashington, kurse ajo rekreacionale është e ligjshme në katër shtete dhe në Distriktin e Kolumbias.
“I hymë këtij biznesi në 2012-n, kur e morëm licencën, dhe nisëm kultivimin e bimës një vit më pas”, tha për AFP-në Lauson-Bejkër, me origjinë nga Australia, shkruan Shekulli.
“Menduam se shumë shpejt do të bënim miliona”, vijoi ai. Por me tregun ende në hapat e para dhe konkurrencën e ashpër, bashkëpronari shpejt e kuptoi se pasurimi i menjëhershëm do të qe i pamundur.
Në pritje të rritjes së kërkesës, “Alternative Solutions” aktualisht rrit vetëm gjysmën nga 1000 rrënjë që i lejon licenca. Australiani dhe vjehrri i tij amerikan, njëherësh ortak në biznes, Bob Simons, me të cilin kishte punuar në ndërtim, dalëngadalë po i mësojnë marifetet e kultivimit të kanabisit.
Varësisht nga lloji, çmimi i produktit përfundimtar mund të shkojë nga 6615 në 9920 dollarë për kilogram. Me tri duar të vjelash që nga nëntori 2015, kompania ka përfituar 700 mijë dollarë.
Gjatë vjeljes, rrënja pritet në bazë dhe varet përmbys për t’u tharë për gati dhjetë ditë, para se burbuqet të priten e të rregullohen. Më pas ato përpunohen për t’u bërë pluhur (40 dollarë për gram) ose rrëshirë (90 dollarë për gram). Këto produkte, së bashku me vetë burbuqet mandej shiten në pesë pikat e posaçme zyrtare të çelura në Uashington.
Ata që i janë futur biznesit të kanabisit shpresojnë se një ditë Uashingtoni do ta bëjë plotësisht të ligjshme marihuanën rekreacionale. Qysh nga shkurti 2015, çdokush mbi 21 vjeç në Uashington mund të konsumojë marihuanë në pronën e vet, të mbajë deri në 56 gramë dhe të kultivojë deri në gjashtë rrënjë. Gjithsesi, shitblerja e marihuanës për përdorim rekreacional mbetet e paligjshme, duke nxitur lulëzim të tregut të zi. “Policia nuk ia del dot, ndaj bën një sy qorr e një vesh shurdh”, thotë Lauson-Bejkër.
Teksa gjithnjë e më shumë shtete po e lejojnë përdorimin e marihuanës mjekësore dhe rekreacionale, duket se sipërmarrësi mori vendimin e duhur kur investoi në këtë sektor, Parashikohet që tregu i kanabisit në vend të arrijë 22 miliardë dollarë në vitin 2020, nga 4.6 miliardë që ishte në 2014-n.
Në një sipërfaqe të mbjellë prej 335 metrash katrorë, pa kurrfarë arome kundërmuese, “Alternative Solutions” prodhon 12 lloj produktesh. “Blue Cheese” është i athët e të shpon hundën, kurse “AK47”, ndryshe nga ç’mund të mendohet, është më i butë. “Green Love Potion” ka veti afrodiziake, ndërsa “Goji OG” mbetet më i shituri.
Temperatura dhe lagështia janë paksa më të larta në zonat me bimë me lule, krahasuar me dhomat e ngrohjes. “Është parajsë për marihuanën. Kemi krijuar mjedisin e përsosur për rritjen e kësaj bime”, shpjegon Simons.
Sekreti i suksesit është sistemi modern i ujitjes që përfshin filtrimin, oksigjenimin dhe ushqimin e rrënjëve me elemente bimore. Shumë nga hapat e rritjes, përfshirë temperaturën dhe ujitjen, mund të kontrollohen përmes internetit. 84 rrënjët me lule duan rreth 750 litra unë në ditë dhe rriten pa kimikate apo pesticide. Çdo proces – që nga prerja deri në produktin përfundimtar – etiketohet dhe mund të gjurmohet me barkod. Plantacioni inspektohet çdo muaj nga autoritetet e shëndetit dhe policia.
Sikurse sipërmarrësit e tjerë, Lauson-Bejkër dhe Simons me padurim presin atë që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, vetëm pesë kilometra larg fermës së tyre, transmeton Shekulli. Qëndrimi i presidentit të ri mbi marijuanën do të luajë një rol madhor në politikat e ardhshme për këtë çështje.
Megjithatë ortakët mbeten besimplotë: ata tashmë kanë në xhep një licencë të dytë për kultivimin e kanabisit në Uashington, po presin për një tjetër në shtetin fqinj të Merilendit dhe kanë plane për t’u shtrirë më tej në Bregun Lindor. Gjithashtu synojnë të nxjerrin në treg serinë e parë të produkteve të ngrënshme me marihuanë.