Jeta e një të verbri, mes paragjykimeve dhe normalitetit

E publikuar: 12/03/2016 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të jetosh i verbër është sfidë, në përgjithësi. Por, sfidë edhe më e madhe është të jetosh i verbër në Kosovë, ku ka mungesë të infrastrukturës dhe kushteve për një jetë sa më të rehatshme për këtë kategori të shoqërisë, thotë Daut Tishuki, 57 vjeç nga Prishtina.

Ai është një ndër rreth 4 mijë personat e verbër dhe me shikim të dobësuar, të cilët jetojnë në Kosovë. Aktualisht, Daut Tishuki punon në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.

Tishuki, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tregon për vështirësitë dhe paragjykimet, me të cilat ballafaqohen personat e verbër në Kosovë, sidomos kur ata janë mbajtës të familjes.

“Është sfidë, duke u nisur prej paragjykimeve që ekzistojnë, pasi që nënkuptohet se në shoqërinë tonë verbësia nuk kuptohet si gjendje normale. Kjo është arsyeja që kemi sfida të mëdha. Por, me një vullnet të fortë jemi duke i kaluar këto sfida dita-ditës dhe duke e bërë jetën tonë normale”, thotë ai.

Si mbajtës i familjes, zoti Tishuki, megjithatë thotë se ka fatin që punon. Por, sipas tij, barrierat në infrastrukturë, paraqesin sfidë më vete për të dhe të gjithë të verbrit e tjerë, të cilët duhet të udhëtojnë.

Mungesa e infrastrukturës për këtë kategori, imponon nevojën që ai gjithmonë të shoqërohet nga një përcjellës për të shkuar në punë. Në rastin e tij, atë e shoqëron bashkëshortja.

“Barrierat që ne hasim, janë ato të infrastrukturës, pasi që akoma është e vështirë që një i verbër të dalë në rrugë pa shoqërues, sepse nuk ka kritere. Kohët e fundit, në qytetin e Prishtinës kanë filluar të punohen shtigjet e veçanta, por deri tash nuk ka pasur as trotuare të lira, pasi që zakonisht, janë automjetet të parkuara”, tregon Daut Tishuki.

Ndonëse në vitin 2012, Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ky ligj nuk po gjen zbatim në vend.

Po ashtu, edhe mungesa e të ashtuquajturës sintezë vokale në gjuhën shqipe, sipas Tishukit, e cila mundëson komunikimin nëpërmjet teknologjisë informative, u vështirëson qasjen në jetën intelektuale për personat e verbër.

“Një ndër sfidat që mund ta cek, është mungesa e një sinteze vokale e gjuhës shqipe, pasi që teknologjia ka ecur shumë, derisa të verbrit nuk mund t’i gëzojnë të mirat që i ofron teknologjia. Pra, mungon marrja e informacionit në gjuhën shqipe, në mungesë të sintezës vokale”, thekson ai.

Alfabeti Braj përdoret nga të verbrit, dhe është aktualisht alfabet i pranuar në gjithë botën, i modifikuar dhe i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme.

Ky sistem ua mundëson të verbërve shkrim-leximin dhe ua lehtëson komunikimin.

Por ky alfabet mungon në Kosovë.

Megjithatë, ndonëse me vështirësi të shumta, aktualisht janë 25 studentë, të verbër, që studiojnë në lëmi të ndryshe.

Ata thonë se ndonëse kërkesat e tyre janë të vazhdueshme për tekste universitare, institucionet po bëjnë pak në këtë drejtim.

Sipas tyre, në literaturë iu shfaqen probleme, ku në shumicën e rasteve, familjarët duhet t’u lexojnë tekstet në mënyrë që ata t’i mësojnë mësimet.

Por, zoti Tishuki thekson edhe një problem tjetër për këtë kategori. Ai thotë se aktualisht janë vetëm rreth 2 për qind e personave të verbër që janë të punësuar në Kosovë. Sipas tij, ky numër është simbolik.

“Punësimi është problem botëror për të verbrit. Institucionet po mundohen t’i ndihmojnë për punësim të verbrit dhe tash e dy vjet, po mbajmë rregullisht trajnime në fushën e aftësimeve profesionale. Besoj që do të përmirësohet gjendja, ndonëse nuk mund të eliminohet”, thotë Daut Tishuku.

Punët që të verbrit kryejnë në Kosovë, janë kryesisht në centrale telefonike, recepcione, asistentë administrate, fizioterapi, por kohëve të fundit ka edhe mësues për të verbër, juristë, sociologë, transmeton rel.

Por, zoti Tishuki thotëse personat e verbër, me vullnetin e tyre, dita – ditës po angazhohen gjithnjë e më shumë që të jenë pjesë kontribuuese në shoqëri, në mënyrë që të ndikojnë që paragjykimet për ta, të largohen.