Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca këtë javë. Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë.
Haxhiu tha se seanca e parë mbahet të enjten me fillim të orës 10:00, ndërkaq dy të tjera të premten, njëra ndër to solemne për Eliot Engel, kongresistin i cili vdiq më 10 prill.
“Kemi vendosur që t’i mbajmë tri seanca të Kuvendit, secila prej tyre është me rëndësishme se tjetra, kemi obligime para qytetarëve. Me këtë rast e para mbahet më 23 prill nga ora 10:00, tjerat mbahen të premten, një dedikuar për Eliot Engel si seancë solemne, tjetra me pika të rendit të ditës, Bordin e RTK-së dhe KPM-së dhe të tjera si këto. Në këtë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të gjithë u pajtuam për rëndësinë e këtyre çështjeve, prandaj edhe do të veprojmë në përputhje me pozicionet që kemi. Siç e dini, janë shumë ligje të cilat janë duke pritur për votimin e tyre, prandaj në këtë rast, ne në seancën e së enjtes do t’i procedojmë 10 ligje apo projektligje, më falni që kanë kaluar në leximin e parë. Ndërsa në seancën tjetër do të kemi marrëveshje ndërkombëtare siç e përmenda, por edhe bordin e RTK-së, bordin e KPM-së”, tha Haxhiu.
E pyetur për bordin e paqes, Haxhiu tha se duhet grupi punues i komisionit për punë të jashtme të procedojë.
“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ne e dëgjuam shqetësimin në raport me mos-aprovimin e kësaj marrëveshjeje. Ne kontaktuam aty për aty me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme dhe kuptuam që të mërkurën do të ketë mbledhje, dhe pastaj marrëveshja do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Për shkak të intervistimeve që kanë ndodhur në Komisionin e Pavarur të Mediave, kjo çështje ka qenë e pamundur që të bëhet gjatë këtyre ditëve sepse, siç e dini, një proces i tillë po zhvillohet. Prandaj presim që sa më parë Komisioni për Punë të Jashtme ta procedojë në seancën e Kuvendit”, tha Haxhiu.
















