Reciprociteti i paefekt

E publikuar: 11/03/2016 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një kamion, me rreth 100 mijë tekste shkollore nga Kosova, kohë më parë është kthyer nga kufiri Kosovë – Serbi, me vendim të autoriteteve të Kosovës, për shkak se ka kaluar afati ligjor i qëndrimit në terminalin doganor.

Kalimi i afatit ligjor në terminalin doganor ka ndodhur për shkak se Serbia ka zvarritur procesin që këto tekste të hynë në territorin e saj, për t’iu dërguar si donacion nga Kosova nxënësve filloristë në shkollat e Preshevës dhe Bijanocit.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka deklaruar se si reagim ndaj kësaj sjelljeje të Serbisë, ministria që ai drejton u ka bërë kërkesë Doganave dhe Policisë së Kosovës që të mos lejojnë importimin e teksteve shkollore nga Serbia pa miratimin e ministrisë.

“Ministria e Arsimit është e vendosur që të qëndrojë prapa këtij reciprociteti dhe këkon nga agjencitë ekzekutive, doganat dhe policia, që të ndalojnë cilindo tekst shkollor, përderisa tekstet tona shkollore të mos arrijnë në destinimin e planifikuar“, ka theksuar ministri Bajrami.

Bazuar në kërkesën e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, të datës 25 shtator të vitit 2015, Doganat e Kosovës janë udhëzuar që të mos lejojnë që “asnjë tekst shkollor nga Serbia të mos hyjë në Kosovë pa miratimin paraprak të ministrisë”.

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, theksojnë se kërkesa e Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Qeverisë së Kosovës, është respektuar.

Adriatik Stavileci, zëdhëns i Doganës së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga momenti i marrjes së këtij vendimi, dogana ka penguar hyrjen e teksteve mësimore serbe në Kosovë.

“Me siguri mund t’ju them se në depon e doganës në Mitrovicë është një sasi e e librave e cila ështrë ndalë aty. Janë tekste shkollore të Serbisë, të cilat gjenden në depo. Të gjitha librat që e kanë kaluar doganën, të cilat dogana i ka kontrolluar, ato të cilat janë paraparë me vendimin e ministrit Bajrami, ato janë ndalur. Janë në depon e doganës në Mitrovicë, të cilat janë të ndaluara edhe nga viti i kaluar“, ka thënë Stavileci.

Por, i ashtuquajturi kryeshef rajonal i drejtorisë së arsimit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë në Kosovë, Predrag Stojqetoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri më tash nuk kanë pasur ndonjë problem me furnizimin me tekste shkollore nga Serbia.

“Deri më tash nuk ka pasur ndonjë problem dhe gjithçka ka kaluar normalisht. Nuk kemi pasur ndonjë problem me furnizim deri më tash dhe natyrisht, e gjithë kjo, sipas procedurës për të cilën ekziston marrëveshja. Unë nuk e di se çfarë janë ato marrëveshje, por kryesisht, për mua është e rëndësishme që ato tekste shkollore kanë arritur me kohë deri të nxënësit dhe rreth kësaj nuk ka pasur ndonjë problem“, ka theksuar Stojqetoviq.

Ai ka shtruar, se megjithatë, vetëm gjatë muajit të fundit, është penguar hyrja e teksteve shkollore promovuese për vitin e ardhshëm shkollor, të cilat është dashur të kontrollohen nga ana e shkollave dhe prindërve.

Ligjet e Kosovës e lejojnë që shkollat, në të cilat procesi mësimor mbahet në gjuhën serbe, të punojnë sipas planprogrameve të Serbisë.

Por, kjo nuk ndodhë anasjelltas edhe për nxënësit shqiptarë në komunat Preshevë dhe Bujanoc, të cilat nga shqiptarët që jetojën atje, njihen si Lugina e Preshevës.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se mënyra në të cilën janë detyruar mësimdhënësit të zhvillojnë procesit mësimor për nxënësit shqiptarë në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, paraqesin shkelje të drejtave themelore të njeriut.

“Tash për tash, nxënësit e shkollës fillore, e mos të flasim për nxënësit e shkollës së mesme, nuk kanë tekste shkollore. Profesorët ligjërojnë sikurse në shekullin e 19-të. Do të thotë, ata ligjërojnë e nxënësit marrin shënime, sepse tekste shkollore nuk ka, për fat të keq. Unë do të shfrytëzoja rastin dhe të bëj një apel, që nëse Qeveria e Republikës së Kosovës merr një vendim që të zbatohet reciprociteti, atëherë, të zbatohet në përpikëri dhe të mos ketë asnjë lëshim në atë drejtim”.

“Serbia vetëm në atë mënyrë mund t’i njohë të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut”, ka theksuar Arifi.

Ai ka shpjeguar se vitin e kaluar, ai dhe kryetari i Komunës së Preshevës, kishin kërkuar në formë zyrtare nga Ministria e Arsimit e Serbisë që për nxënësit shqiptarë, në shkollat fillore, të lejohet përdorimi i teksteve shkollore nga Kosova.

Sipas tij, kjo ministri nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje zyrtare, ndërkohë që tekstet të cilat i ka dërguar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e Qeverisë së Kosovës, janë kthyer prapa nga autoritetet serbe.