Skocia debuton në mënyrën më të mirë të mundshme në kampionatin e tetë botëror të regbisë duke mundur thellë skuadrën e Japonisë 45 – 10. Ekipi nipon shkaktoi një ndër befasitë më të mëdha në historinë e kupave të botës, teksa mundi të Shtunën e kaluar 2 herë kampionët e botës të Afrikës së Jugut 34 – 32 sidoqoftë këtë herë ndeshja u mbyll shpejt pas pothuajse një orë lojë dhe skuadra japoneze me shumë gjasa vuajti shortin jo shumë të favorshëm që e shtrëngoi ekipin e Eddie Jones për të zhvilluar 2 ndeshje në harkun e vetëm katër ditëve. Në Stadiumin Kingsholm në Gloucester Skocia u shfaq e shplodhur, në 100% të formës dhe pa asnjë ndeshje të luajtur në një periudhë prej dy javë e gjysmë.
Ekipi i drejtuar nga trajneri zelandez Vern Cotter mori që në fillim kryesimin falë ekzekutimit të saktë të goditjeve të dënimit nga ana e kapitenit Greig Laidlaë në minutat 3 dhe 12 të takimit. Japonia tregoi karakter duke sulmuar menjëherë prapavijën e kundërshtarit dhe 4′ më pas ekipi nipon kaloi në avantazh 7-6 falë realizimit të numrit 8 Lelei Mafi si dhe konvertimit mes shtyllave të Ayumu Goromaru. Epërsia e tyre zgjati vetëm 2′ sepse Laidlaw riktheu avantazhin sërish me një goditje dënimi, ndërsa në 19′ po me të njëjtën mënyrë kapiteni skocez fiksoi shifrat 12 – 7 që mbyllën pjesën e parë. Kurioz është fakti që në gjysmën e dytë të pjesës së parë nuk u realizua më asnjë pikë pavarësisht se në 22′ Matsushima u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari irlandez John Lacey.
Përfaqësuesja japoneze luajti kështu për 10′ në inferioritet numerik megjithatë gjërat më të mira në këtë pjesë të lojës i ofroi pikërisht ekipi bardhekuq që iu afrua disa herë ndjeshëm realizimit, por mbrojtja e fortë e bluve zmbrapsi cdo tentativë. Në pjesën e parë diferenca u bë nga ndërhyrjet e gabuara të lojtarëve japonezë që u ndëshkuan plot 8 herë, gjithsesi edhe në pjesën e dytë situata nuk ndryshoi. Me përjashtim të një konvertimi të saktë të Goromaru-t në 45′ që e ngushtoi përkohësisht rezultatin në 12-10 gjithcka foli për ekipin skocez që shënoi plot 33 pikë deri në fund të lojës, pa pësuar asnjë. Ashtu sic pritej lodhja u shndërrua në faktor dhe skocezët që nuk kishin realizuar asnjë “try” në tre ndeshjet e tyre të fundit në Kupat e Botës shënuan plot 5 të tilla.
2 Benett dhe nga 1 Hardie, Seymour dhe Russell duke bërë që Skocia të përfitojë edhe pikën e bonusit ndërsa kapiteni Laidlaë i shtoi edhe pikë të tjera skuadrës në konvertim. Tashmë Skocia falë edhe pikës shtesë merr kryesimin në Grupin B me 5 pikë, ndërsa Samoa dhe Japonia ndjekin me nga 4 pikë, ndërkaq Afrika e Jugut numëron 2 pikë ndërsa Shtetet e Bashkuara mbyllin klasifikimin pa asnjë pikë.