Diplomati gjerman i quan jo bashkëpunues hedhësit e vezëve në Kuvend

E publikuar: 22/09/2015 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I deleguari për Ballkanin i kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Ernst Reichel, ka komentuar veprimet e sotshme të opozitës në Kuvendin e Kosovës, duke i quajtur këta të fundit si jo-bashkëpunues.
Në një postim të tijin në Facebook, ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka thënë se këta deputetët që gjatë seancës së sotme hedhën ve në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa, të njëjtit ankoheshin më parë se i pari i Qeverisë nuk po tregon transparencë rreth arritjeve në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ata që gjuajtën ve sot në Kuvendin e Kosovës e diskualifikuan vetën si bashkëbisedues në Kuvend. Ata janë të njëjtit njerëz që ankoheshin se kryeministri nuk po jep informata të mjaftueshme për rezultatet e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Reichel në Facebook.