E Marta do të jetë dita e Shqipërisë U-21

E publikuar: 07/09/2015 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një fitore ndaj Lihtenshtejnit dhe një barazim kundër Izraelit, tashmë radhën e ka Portugalia. Kombëtarja shqiptare e 21-vjecarëve që drejtohet nga Redi Jupi këtë të Martë në Qemal Stafa do të zhvillojë një nga sfidat e saj më të rëndësishme në Grupin e 3-të eliminator për Euro 2017. Këtë herë përballë nuk do të jetë më Izraeli por Portugalia nënkampione e Europës. Luzitanët të cilët u mundën në finalen e Europianit vetëm pas goditjes së penalltive nga Suedia edhe pse në gjysmëfinale kishin shpartalluar me rezultatin 5-0 një përfaqësuese si Gjermania, janë dukshëm favoritë në këtë përballje.

Në fakt lojtarë si Bernardo Silva, William Carvalho, Paulo Oliveira, Joao Mario apo edhe Raphael Guerriero nuk janë pjesë e Portugalisë së 21-vjecarëve pasi janë afruar nga Fernando Santos në kombëtaren e madhe por pavarësisht kësaj trajneri Rui Jorge ka lojtarë të tjerë të rëndësishëm ku mund ta bazojë forcën e skuadrës së tij. Ndaj Shqipërisë, Portugalia do të zhvillojë sfidën e saj të parë në Grupin 3, ndërkohë që përfaqësuesja jonë deri tani ka luajtur dy takime dhe ka grumbulluar 4 pike duke u pozicionuar në krye të Grupit sëbashku me Izraelin. Ndaj këtyre të fundit Shqipëria dha sinjale pozitive duke marrë një barazim me shumë vlera edhe pse luajti pothuasje gjatë gjithë pjesës së dytë me një lojtar më pak .

Gjithsesi problemet për trajnerin Redi Jupi në prag të sfidës së Qemal Stafës nuk mungojnë. Me dëmtimin që pësoi në kokë sulmuesi i Interit Rey Manaj dhe që e detyroi këtë të fundit të largohej drejt Italisë por edhe me kartonin e kuq që mori Albion Avdiaj përballë Izraelit, përfaqësuesja e shpresave të Shqipërisë nuk do të ketë në dispozicion asnjë qëndërsulmues për këtë sfidë. Por pavarsisht kësaj kombëtarja jonë e 21-vjecarëve ka në përbërje lojtarë si Milot Rashica që ndaj Izraelit ishte më i miri në fushë si dhe Endri Cekici autori i golit në sfidën e fundit apo edhe Liridon Latifi, Qazim Laci, Enis Gavazaj, Herdi Prenga, Bruno Lulaj etj që janë të gatshëm të japin gjithcka në fushë vetëm e vetëm për të nderuar fanellën kuqezi. Edhe pse nuk shihet si favorite Shqipëria do të ketë shancet e saj përballë Portugalisë në sfidën që do të zhvillohet këtë të Martë në Qemal Stafa dhe që do transmetohet drejtëpërdrejt në SuperSport në orën 18:00/ss/