Zyra e kryeministrit ka sqaruar lidhur me gjendjen e sigurisë në vend dhe me masat e ndërmarra kohëve të fundit për kryeministrin dhe ndërtesën e Qeverisë.
Në komunikatë thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet e sigurisë janë në nivel të detyrës dhe nuk ka arsye për shqetësim lidhur me gjendjen e sigurisë në vend.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim të njoftimit sa më të drejtë të opinionit lidhur me gjendjen e sigurisë në vend dhe nivelin e sigurisë për zyrtarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, informon se masat e sigurisë të implementuara ditëve të fundit janë vazhdimësi e masave të sigurisë të ndërmarra para disa muajsh si rezultat i rekomandimeve për gjendjen e sigurisë në rajon dhe të njëjtat nuk i atribuohen zhvillimeve të fundit në vend”, thuhet në komunikatë.
Masat e sigurisë për kryeministrin Isa Mustafa dhe ndërtesën e Qeverisë janë shtuar kohëve të fundit pas përplasjeve verbale mes kryeministrit dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Këta të fundit janë penguar nga policia që ta kryejnë një aksion në shtëpinë e tij në Prapashticë si dhe kanë gjuajtur me vezë veturën në të cilën udhëtonte kryeministri Mustafa.