Për gjashtë muaj, 14 vrasje në Tiranë

E publikuar: 30/08/2015 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i viktimave që janë regjistruar në Tiranë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është 14. Nga 1 janari deri më 30 qershor, sipas policisë së kryeqytetit, tipologjitë e vrasjeve janë ndarë në tri kategori. E para është e stilit mafioz, ku janë regjistruar dy atentate në qendër të kryeqytetit, me katër viktima. E dyta, e cila ka edhe numrin më të lartë të viktimave, është kategoria e “vrasjeve me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, e thënë ndryshe, krim brenda në familje. E treta, vrasje nga pakujdesia ose për motive të dobëta, ku janë shënuar tri viktima.
Dy atentatet mafioze

Atentate të mirëfillta mafioze kanë ndodhur në Tiranë në fillim të janari dhe në fund të majit. Atentati i parë mafioz kishte të bënte me eliminimin të Emiljano Shullazit, si edhe të miqve të tij, të cilët njihen për aktivitetin në “Rrugën e Kavajës”. Po kështu, një skenë e denjë për filmat hollivudian, u shënua mesditën e 27 majit në Tiranë, ku mbetën të vrarë tre persona, pikërisht ditën që në kryeqytet ishte në një vizitë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa qendra e Tiranës ishte e blinduar me 1500 e policë.

Në të dy atentate mafioze kanë mbetur të vrarë vetë atentatorët, duke mos u zbuluar se kush ishte porositësit e tyre. Fillimi i janarit 2015 do të tronditej nga një seri atentatesh mafioze, por vetëm me një të vrarë. Kështu, mbrëmjen e 5 janarit në “Rrugën e Kavajës”, mbeti i vrarë me armë zjarri vetë atentatori Arianit Sterio (Artur Baze), i cili sipas policisë, ishte vrasës me pagesë.

Sterio ka pasur objektiv për të eliminuar fizikisht, Pajtim Serjanin, 32 vjeç, të cilin e ka plagosur në këmbë, si dhe dy miqtë e tij, Denis Ramani dhe Ditmir Reçi. Pajtim Siriani njihet edhe si miku i ngushtë i Emiljano Shullazit, i cili mbeti edhe ai i plagosur mbrëmjen e 5 janarit, së bashku me shokun e tij Gilmando Dani, pranë kthesës së Kasharit.

Në shkëmbimin e zjarrit në “Rrugën e Kavajës”, u përfshi edhe një punonjës i Njësisë Operacionale Speciale, Roland Meta, i cili mori dy plagë të rënda në trup, por mundi të shpëtojë. Atentati i dytë mafioz shënohet më 27 maj, ku një luftë e vërtetë mes bandash rivale në mes të Tiranës ka lënë tre persona të vrarë, të ekzekutuar me armë zjarri. Kryeqyteti u trondit nga disa të shtëna në bulevardin “Zogu i Parë”, përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin Mentor Lufi (Doci), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku, i cili ka hapur zjarr duke shkaktuar vdekjen e dy të parëve. Ndërkohë 2 nipat e Mentor Lufit kanë përplasur me makinën e tyre “Touareg”, shtetasin italian Salvatore Leticia, si një nga autorët e dyshuar të të shtënave, teksa kanë vrarë me armë Besnik Sulkun.

Krimi në familje

Një krim në familje me pasojë vdekjen e tre personave ka tronditur mëngjesin e 10 marsit kryeqytetin. Emiljano Rustemi, 32 vjeç, ka ekzekutuar me armë zjarri automatik bashkëshorten e tij Izaura, 28 vjeçe, vjehrrën Ëngjëllushe Shaqiri, 65 vjeç, dhe më pas ka vrarë dhe veten.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 05:50 në afërsi të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Laprakë. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të tre fëmijëve të mitur. Ndërkohë, Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e 30 marsit 46-vjeçarin, Simon Prifti, i cili akuzohet se ka vrarë me mjete të mprehta babanë e tij Piro Prifti, 82 vjeç.

Blutë e kryeqytetit gjetën në vendin e ngjarjes, një thikë dhe një kazmë, të cilat autori i krimit i ka përdorur për të vranë 82-vjeçarin. Një vrasje e dyfishtë është shënuar në periferi të Tiranës më datë 3 prill, ku xhaxhai ka vrarë nipin dhe më pas veten. Viktimat janë, Hasan dhe Besim Hoxha dhe ngjarja ka ndodhur në komunën Mullet, afër fshatit Vishnjë. Besim Hoxha, 65 vjeç, ka vrarë me çifte nipin, Hasanin, 20 vjeç, dhe më pas ka qëlluar dhe veten. Vrasja ka ndodhur për motive pronësie, ndërsa xhaxhai jetonte në të njëjtën banesë me nipin, ku ndodhi krimi.

Lutfi Xhaferri, 59 vjeç, u vra mëngjesin e 17 majit në periferi të Tiranës, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Naime Xhaferri, 55 vjeç, mbeti e plagosur. Autor i krimit, sipas Policisë së Tiranës ishte 39-vjeçari, Altin Aluku, i cili u arrestuar një ditë pas vrasjes. Ngjarja ndodhi në Kashar kodër, në lagjen “17 Maji”. Altin Aluku, sipas policisë, ka qenë i fejuar me vajzën e viktimës, ndërkohë që prindërit dyshohet që të kenë ndikuar, që ajo të ndahej prej tij për t’u fejuar me një person tjetër, për t’u larguar më pas në Itali.

Vrasjet nga pakujdesia

Tre është numri i vrasjeve nga pakujdesia të cilët janë kanë ndodhur për motive të dobëta. Azem Duraku, 56 vjeç, gjeti vdekjen pasi u godit me grushte dhe ra në tokë, duke marrë plagë vdekjeprurëse pas kokës, pas një konflikti banal me një person në afërsi të tregut çam. Ngjarja ndodhi mesditën 14 janarit pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë. Autori i dyshuar i ngjarjes rezulton të jetë Florian Keta, punonjës i njësisë bashkiake nr.1, i cili u arrestua nga policia pak minuta më pas.

Ata janë zënë fillimisht në lokal dhe më pas debati vijoi edhe në një rrugicë pranë tregut çam, ku ish-oficeri mbeti i vdekur. Më 12 mars, pas një konflikti për motive të dobëta ndërmjet viktimës Xhevit Xhepa dhe shtetasit Niazi Daci, Xhepa gjen vdekjen pasi u përplas në tokë dhe si pasojë mori dëmtime të rënda në kokë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Princ Vidi” në Tiranë, ndërsa u arrestua autori. Shaban Shaba gjen vdekjen mëngjesin e 28 qershorit pas një debati të çastit me një person tjetër. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, përsëri nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra pas koke.

Vrasjet, janar-qershor

1 – 5 Janar, Rruga e “Kavajëss”. Vrasje me dashje (N.76). Vritet me armë zjarri Arianit Sterio (Artur Baze), plagoset Pajtim Serianit dhe Roland Meta. Të pranishëm Denis Ramani e Ditmir Reci.

2 – 14 Janar, Rruga “Çamëria”. Vrasje . Vdes Azem Duraku. Qëllohet me grusht në kokë.

3 – 10 Mars, Rruga “Dritan Hoxha”. Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Vriten, Izaura Rustemi, Engjellushe Shaqiri dhe Emiljano Rustemi.

4 – 12 Mars, Rruga “Pric Vidi”. Vrasje nga pakujdesia. Viktimë, Xhavit Xhepa

5 – 30 Mars, Kamëz. Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Piro Prifti vritet me thikë.

6 – 3 Prill, Mullet. Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Hasan Hoxha vret nipin Enver Hoxha dhe më pas vetëvritet.

7 – 17 Maj, Kashar. Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Lutfi Xhaferri mbeti i vrarë dhe u plagos bashkëshortja e tij Naime Xhaferri.

8 – 27 Maj, Bulevardi Zogu i Parë. Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Të vrarë, Metor Lufi, Bensnik Sulku dhe Gerti Goxhaj.

9 – 28 Qershor, Fshati Gjocaj. Vrasje nga pakujdesia. Vritet Shaban Shaba.

/Shekulli/