Fruktoza e shtuar – nxitës kryesor i diabetit të tipit 2

E publikuar: 28/08/2015 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Studimet e fundit kanë treguar se sheqernat e shtuara, veçanërisht ato që përmbajnë fruktozë, janë një nxitës kryesor i diabetit dhe paradiabetit, madje më shumë se karbohidratet e tjera.

Ekspertët klinikë që shkruajnë në Mayo Clinic Proceedings i sfidojnë udhëzimet e tanishme dietale të cilat lejojnë deri në 25% të totalit të kalorive ditore si sheqerna të shtuara, dhe propozojnë ulje drastike në sasinë e sheqernave të shtuara, dhe veçanërisht fruktozës së shtuar, të cilën e konsumojnë njerëzit.

Në të gjithë botën, afërsisht një në dhjetë të rritur kanë diabet të tipit 2, ndërkohë që numri i individëve të prekur nga sëmundja në të gjithë globin është dyfishuar nga 153 milionë në vitin 1980 në 347 milionë në vitin 2008. Në Shtetet e Bashkuara 29 milionë të rritur (një në njëmbëdhjetë) i kanë 2 diabetet dhe 86 milionë (më shumë se një në tre) kanë paradiabet.

“Në nivelet aktuale, konsumi i sheqerit të shtuar, dhe konsumi i fruktozës së shtuar në veçanti, janë duke e nxitur një epidemi të përkeqësuar të diabetit të tipit 2,” tha autori kryesor James J. DiNicolantonio, shkencëtar hulumtues kardiovaskular në Saint Luke’s Mid America Heart Institute në Kansas City. “Rreth 40% e të rriturve amerikanë tashmë e kanë një shkallë të rezistencës ndaj insulinës me parashikimet se pothuajse e njëjta përqindje në fund do të zhvillohet në diabet.”

Të dhënat nga provat e fundit sugjerojnë se zëvendësimi i nishestesë që përmban vetëm glukozë me saharozë rezulton me efekte të mëdha negative metabolike, transmeton koha.net. Efektet negative janë më të mëdha me rritjen e rezistencës bazë të insulinës dhe më të thella me përmasat më të mëdha të fruktozës së shtuar në dietë.

Tërësia e provave është bindëse për të sugjeruar se sheqeri i shtuar, dhe veçanërisht fruktoza e shtuar (zakonisht në formë të shurupit të misrit me fruktozë të lartë dhe sheqerit të kuzhinës), janë një problem serioz dhe në rritje për shëndetin publik, sipas autorëve.

Derisa fruktoza gjendet në mënyrë natyrale në disa ushqime integrale si frutat dhe perimet, konsumimi i këtyre ushqimeve nuk përbën problem për shëndetin e njeriut. Në fakt, frutat dhe perimet janë sigurisht mbrojtëse kundër diabetit dhe mosfunksionimit të gjerë kardiometabolik, shpjeguan DiNicolantonio dhe kolegët. Autorët propozojnë që udhëzimet dietale duhet të modifikohen për t’i inkurajuar individët që t’i zëvendësojnë ushqimet e përpunuara, të mbushura me sheqerna të shtuara dhe fruktozë, me ushqime integrale si frutat dhe perimet. “Shumicës së udhëzimeve ekzistuese u mungon kjo shenjë në koston potenciale të normave përkeqësuese të diabetit dhe pasojave përkatëse kardiovaskulare dhe të tjera”, shkruajnë ata.

Autorët gjithashtu mendojnë se duhet të ketë stimuj për industrinë që të shtojë më pak sheqerna, veçanërisht varietete që përmbajnë fruktozë, në produktet ushqimore dhe në pije. Dhe ata arrijnë në përfundimin se në “një nivel individual, kufizimi i konsumit të ushqimeve dhe pijeve që përmbajnë sheqerna të shtuara, veçanërisht fruktoza të shtuara, mund të jetë një nga strategjitë më efikase për sigurimin e shëndetit stabil në të ardhmen.”