Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar familjen Krasniqi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mark Krasniqi.
“Me dhembje dhe pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Mark Krasniqit, personalitet i shquar në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare. Akademik Mark Krasniqi, me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin, në shkencën, kulturën dhe botën akademike të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Mustafa po ashtu thekson se akademik Mark Krasniqi do të përkujtohet përherë si një personalitet i shquar frymëzues për kosovarët, për kontributin e dhënë në shumë fusha të shkencës në Kosovë.