Van Gaal del hapur: Më pëlqen Pedro!

E publikuar: 02/08/2015 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Manchester United del hapur pro blerjes së Pedro Rodriguez nga Barcelona. Holandezi, i cili është në kërkim të një sulmuesi pas largimit të Van Persit drejt Fenerbahces, u shpreh për mediat britanike se sulmuesi i rritur në La Massia ka profilin e lojtarit që dëshiron ta ketë në skuadër, sepse me cilësitë e tij mund t’u krijojë hapësira në sulm lojtarëve të tjerë të Manchester United.

“Ne mund të konkurrojmë me rivalët tanë më të fortë nëse do të blejmë një sulmues të shpejtë dhe krijues. I tillë është Pedro Rodriguez i Barcelonës. Duhet ta rritim cilësinë e organikës sonë me një element të tillë. Ekipi katalanas ka Neymar dhe Messin, ndërsa Pedro luan pas tyre.”

Më pas Van Gaal kujton se edhe rivalët e tjerë në Angli dhe Europë kanë në organikën e tyrë lojtarë me karakteristikat e Pedros.

“Te Bayerni i Mynihut luan Frank Ribery dhe Arjen Roben, pa harruar Thomas Mullerin. Në Angli Chelsea ka Eden Hazard, Willian dhe Oscar, lojtarë krijues dhe shumë të shpejtë.”

Pedro Rodriguez sezonin e kaluar është aktivizuar në 50 ndeshje në total me Barcelonën, duke shënuar 11 gola. Ai mund të bëhet pjesë e Djajve të Kuq nëse United paguan klauzolën e largimit që kap shifrën e 30 milionë Eurove.