6 këshilla që mund të ndjekin bizneset për të përdorur “hashtag” në mënyrë efektive

E publikuar: 26/10/2020 12:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krijimi i një kompanie biznesi është diçka që dëshiron përkushtim të pafund. Ta rrisësh një biznes është sfidë ne vete, por nuk mjafton vetëm me kaq. Sfida më e madhe është sesi pasi që ta kemi krijuar kompaninë tonë të ëndrrave, ta mbajmë atë. Zhvillimi teknologjik e me të rrjetet sociale, më shumë se kurrë kanë sjellë lehtësi, që brendi ynë të njihet jo vetëm në nivel vendi, por edhe ndërkombëtarisht. Ka me dhjetëra mundësi në këto rrjete sociale, që mund të na ndihmojnë ta bëjmë këtë, mjafton vetëm të dimë t’i njohim dhe sesi t’i përdorim ato.

Një prej mundësive që përdoret mijëra herë në ditë nga përdoruesit e rrjeteve sociale është “hashtag”.

Çfarë do të thotë “hashtag”?

Një “hashtag” është një fjalë ose frazë që paraprihet nga një thurje (#). Ai përdoret brenda një postimi në mediat sociale, për të ndihmuar ata që janë të interesuar për një temë të caktuar, që të jenë në gjendje ta gjejnë atë kur kërkojnë një fjalë kyçe ose “hashtag” të veçantë. Një “hashtag”’ ndihmon për të tërhequr vëmendjen te postimet tuaja, por gjithashtu për të inkurajuar ndërveprim.

Kur duam të përdorim “hashtag”, në rrjete sociale, fraza që do të përdoret nuk duhet të ketë hapësira në mes. Në një hashtag mund të përfshihen numëra, por jo edhe simbole. Ai mund të shkruhet në fillim, në mes apo në fund të një postimi dhe komenti, pastaj ajo fjalë apo frazë indeksohet nga rrjeti i medieve sociale. Kjo strategji lejon që disa persona edhe pse nuk ju ndjekin, të arrijnë ende të shohin përmbajtjen tuaj.

“Digital Marketing Institute” tregon disa këshilla si të përdorim #hashtag. Ato mund të na duken të thjeshta, por mbase më parë nuk i kemi ditur se çfarë ndikimi kanë.

Mos tentoni që të përdorni “hashtag” në çdo fjalë. Numri i tyre varet prej platformës që përdoret, por në shumicën e rasteve, një apo dy “hashtag”, kanë më shumë ndikim sesa një numër i madh.
Përdorni “hashtag” të shkrurtër dhe që mund të mbahen mend lehtë.
Mos tentoni që ta bëni “të mençurin” apo të bëheni i pazakonshëm. Nëse përdorni fjalë që askush nuk i kërkon, marketingu i kompanisë tuaj nuk do të përfitojë.
Përdorni hashtag që janë më specifik, sepse kjo ndihmon që të keni rezultate më të mira sesa kur përdoret ndonjë i përgjithshëm. Termat e gjerë nuk janë të pëlqyeshëm të kërkohen dhe në rast se i përdorni atëherë përmbajtja juaj do të humbet, në numrin e madh të përbmajtjeve që nuk shprehin interesim.
Mos përdorni “hashtag” në çdo postim. Më mirë do të ishte që ato të përdoreshin vetëm në rastet kur ato nxisin biseda dhe ndërveprime.
Mundësia “hashtag” nuk është atraktive vetëm për një audiencë të caktuar, por gjithashtu mund të përdoret për të hulumtuar konkurrencën e biznesit.
Përdorimi i “hashtag” në Twitter

Të përdorni “hashtag” në Twitter mund të ndihmojë në rritjen e biznesit tuaj, për sa kohë që nuk mbingarkohet. Një ose dy do të ishin të mjaftueshëm. Në postimet ku përdorni “hashtag’, mos ngurroni të kërkoni edhe nga ndjekësit që ta shpërndajnë atë, sepse do të jetë një rritje edhe më e madhe për biznesin tuaj.

Përdorimi i këtyre fjalëve apo frazave në rrjetin social Twitter do të ndihmonte që të shiheshin postimet e faqes së kompanisë tuaj, kur përdoruesit kërkojnë për një fjalë të caktuar. Kjo gjithashtu mund të ndihmojë përdoruesit, që të gjejnë biseda në të cilat mund të përfshihen.

Përdorimi i “hashtag” në Facebook

Nëse jeni duke kërkuar më shumë ekspozim për postimet e biznesit tuaj në Facebook, përdorimi i këtyre fjaleve kyçe në mënyrë të veçantë, mund t’ju ndihmojë. Në Facebook është shumë e rëndësishme të dihet që nuk duhet të përdoren një numër i madh frazash. Zakonisht janë të rekomanduar një ose dy, më shumë se kaq do të ju bënte të dukeshit shumë joprofesional dhe do të ishin të bezdishme për të lexuar postimin.

Përdorimi i “hashtag” në Instagram

Në Instagram është i preferueshëm një numër më i madh frazash. Përdorni deri në 10 apo 11 prej tyre për të arritur më shumë tek përdoruesit e këtij rrjeti social. Por gjithashtu, mund të përdorni edhe deri në 30 sosh. Ndoshta nuk do të jetë e nevojshme të përdorni kaq shumë, por nuk është diçka që nuk mund të bëhet në Instagram. Madje nëse i kushtoni vëmendje, do ta shihni nëse kjo po sjell ndryshime në postimet tuaja.

Instagrami është një rrjet social, i cili përdoret shumë edhe nga personat që kanë miliona ndjekës, do të ishte mirë të shikoni se çfarë frazash përdorin ata nëpër postimet e tyre.

Përdorimi i “hashtag” në LinkedIn

Nëse i analizojmë profilet e përdoruesve të LinkedIn, shihet që ata nuk e kanë të theksuar përdorimin e “hashtag” në postimet e tyre, por duhet të dihet që edhe këtu si në çdo platfomë funksionojnë njësoj. Në rast se postoni një përmbajtje të gjatë në LinkedIn do të ishte mirë t’i përdorni disa prej tyre përgjatë tekstit. Një deri në tri janë të preferueshme për këtë rrjet social.

Përdorimi i “Hashtag” në LinkedIn është një mënyrë e shkëlqyeshme për ta prezantuar brendin tuaj, tek ata që ende nuk ju njohin.

Përdorimi “hashtag” në Pinterest

Edhe këtu numri i preferueshëm për “hashtag” është një ose dy. Në këtë platformë termat e përgjithshëm nuk do t’i bënin ndonjë të mirë qëllimit të brendit tuaj, sepse këtu kërkohen fjalë më specifike.

Përdorimi i Hashtag në Google +

Përdorimi i “hashtag” në Google Plus është çelësi për të arritur të një numër i madh i përdoruesve. Në këtë platformë përdorimi i tyre është i rëndësishëm për SEO. Përdorni deri në tri prej tyre, sepse në rast se nuk i përdroni, Google + do t’i rekomandojë ose do t’i shtojë ato vetë./Akademi Pune