30 vjeçari qe dridhi Lutfi Hazirin: Puna e vërtetë fillon tani

E publikuar: 17/10/2021 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, i cili befasoi me rezultatin në Gjilan, duke u renditur para Lutfi Hazirit është shprehur se puna e vërtetë fillon tani.

Hyseni përmes një shkrimi në llogarinë zyrtare në Facebook, shkroi se Gjilani sot foli më fuqishëm se kurrë, me një zë që kumbon e jehon për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Shkrimi i plotë:

E kemi nisur rrugëtimin plot energji dhe vullnet, të cilën sot, banorët e Gjilanit e përkthyen fuqishëm me anë të votës. E ndryshuam mllefin e lënies në harresë, në votë për vizionin dhe plan programin e të ardhmes së dinjitetshme të Gjilanit.

Gjilani sot foli më fuqishëm se kurrë, me një zë që kumbon e jehon për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Por kjo nuk është vetëm fitore e Lëvizjes. Kjo është fitore e jonë e përbashkët, ku të parët qëndroni ju si banorë të Gjilanit, pa të cilët ndryshimi nuk bëhet i mundur. Ky rrugëtim nuk mbaron këtu. Në fakt, puna e vërtetë, fillon këtu, tani.

Kemi nevojë të qëndrojmë bashkë, e të bashkëpunojmë. Për këtë arsye kemi punuar që programi dhe qeverisja e jonë të shkojë drejt zhvillimit me politika gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha bizneset, për të gjitha fshatrat e lagjet. Vetëm në këtë mënyrë, ne sigurohemi se Gjilani ecën në rrugën e duhur. T’i çojmë përpara, projektet që i kemi paraparë e biseduar me ju gjatë kësaj fushate.

Sepse bashkë jemi më shumë, bashkë jemi më mirë, bashkë punojmë e bashkë qeverisim.