Zyrtare|MI konfirmon licencën për Terminalin e Margarita Kadriut

E publikuar: 01/03/2016 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja tanimë e pavarur  Margarita Kadriu, dikur nënkryetare e PDK-së arriti të marrë licencën për hapjen e një Terminali Doganor për kompaninë “City Park”, që zyrtarisht drejtohet nga babai i saj shkruan Gazeta Fjala.

Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Lutfi Zharku i LDK-së e ka konfirmuar për Gazetën Fjala se e ka licencuar kompaninë e Kadriut për hapjen e terminalit.

“Licencimi është bërë në bazë të kërkesës të kompanisë në fjalë, është formuar komisioni, i cili ka verifikuar kushtet dhe ka dhënë rekomandimin për plotësimin e kushteve, në bazë të të cilit rekomandim Ministri ka nënshkruar licencën”, thuhet në përgjigje me shkrim të kësaj ministrie.

MI thotë se kjo kompani ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore  dhe teknike të përcaktuara me udhëzimin administrative prandaj edhe është paisur me licencën  për terminalin e mallrave.

Ministria e Zharkut nuk i ka lejuar qasje gazetës në vendimin për licencimin e “City Park”, me arsyetimin se “Rekomandimi është dokument i brendshëm”.

Por kjo ministri thotë se vendimin e saj e bazoi në nenin 48 të Ligjit për transportin rrugor, respektivisht duke iu referuar Udhëzimit Administrativ për licencimin e terminaleve të mallrave, janë të përcaktuara kushtet, kriteret dhe procedurat sa i përket licencimit të terminaleve të mallrave.

Margarita Kadri menjëherë pas anëtarësimit në Partinë Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 2014-ës kishte kërkuar leje për hapjen e terminalit, mirëpo  këtë leje nuk kishte arritur ta marrë deri tash së fundmi.

Në media është raportuar se ajo i dha votën për tu zgjedhur president Hashim Thaçi (të premtën e kaluar) me kushtëzimin për të marrë këtë licencë.

Ndërsa sa i përketë pyetjes së gazetës se a është e nevojshme hapja edhe e një terminali tjetër, ministria e Infrastrukturës thotë se nuk ka masë që e kufizon këtë.

“Sa i përket aspektit të kufizimit apo hapjes së 2 (dy) apo më shumë terminaleve të mallrave në një rajon apo komunë, nuk ekzistojnë masa kufizuese”, thuhet në përgjigjen e Infrastrukturë./gazetafjala.com/