Zidane: Reali duhej të vuante, por ia doli

E publikuar: 26/04/2018 03:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zinedine Zidane e ka lavdëruar skuadrën e Real Madridit, pasi arriti të rikthehej nga disavantazhi për ta mposhtur Bayern Munichun me rezultat 2-1 në Allianz Arena.

Joshua Kimmich krijoi epërsi për skuadrën nikoqire, mirëpo me golat e Marcelos dhe Marco Asensios, mysafirët përmbysën gjithçka për të krijuar një avantazh shumë të mirë para ndeshjes kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Na u desh të vuanim, por në fund ia dolëm, morëm një rezultat të rëndësishëm. Nuk mund të zhvillosh një ndeshje të Ligës së Kampionëve pa vuajtur”.

“Është keq që e humbëm Iscon (që u lëndua), mirëpo pastaj u inkuadrua Marco (Asensio) dhe e bëri diferencën”.

“Të gjithë u desh të vuanin dhe të angazhoheshin kur nuk e kishim topin”, ka thënë Zidane në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Lucas Vazquez ishte një befasi në formacionin startues, por mesfushori spanjoll bëri një paraqitje mbresëlënëse në Munih.

“Ai bëri një lojë fantastike. U angazhua shumë dhe madje e përfundoi ndeshjen si mbrojtës i djathtë. Me ndihmën e Modricit, ai ishte në gjendje që ta kontrollonte Riberyn”, ka thënë francezi.

Derisa fitorja e Realit është një hap i madh drejt finales së tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, një lëndim më të rëndë pësoi Dani Carvajal.

“Ai u lëndua, por nuk mendon se është serioze. Duhet të presim ekzaminimit”, ka theksuar Zidane. /Telegrafi/