Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes nuk përfshin Kalabrinë dhe Matin 1

E publikuar: 31/03/2018 22:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhjetë milionë euro të taksapaguesve gjermanë do të shpenzohen për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë.

Marrëveshja u nënshkrua mes Bankës Gjermane për Zhvillim – KFW, Ministrisë së Financave dhe Termokosit, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Pasi ka falënderuar popullin gjerman, ministri i financave, Bedri Hamza, ka thënë e ky projekt ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ndërsa ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, tha se kjo është vazhdimësi e punës së përbashkët, që pos ngrohjes, ndikon edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Pasi ka kujtuar kohën kur nga tymtari i Termokosit dilte tym i zi e kryeqytetasit ngroheshin vetëm 6 orë në ditë, përfaqësuesi i KFW-së, Juergen Kern, është shprehur i lumtur me përmirësimin e gjendjes dhe vazhdimin e investimeve gjermane.

Për fazën 8 dhe 9 të projektit për përmirësimin e shërbimeve të Termokosit, 1.7 milionë euro do t’i ndajë edhe Komuna e Prishtinës.

Ndërsa kryeshefi i Termokosit, Naser Canolli, njoftoi se punimet për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit me këtë fond do të fillojnë gjatë këtij viti.

Përderisa projekti me KFW-në do të realizohet sivjet, tjetri me Komisionin Evropian për zgjerimin e rrjetit në dy lagje përsëri do të vonohet

Si pasojë, banorët e lagjeve Mati 1 e Kalabria, të cilëve u ishte premtuar lidhja në rrjetin e Termokosit para sezonit të ngrohjes 2017-18, rrezikojnë të mbesin pa ngrohje edhe një dimër.

Për zgjerimin e rrjetit në këto dy lagje dhe pjesë të tjera, vitin e kaluar, Komisioni Evropian ka ndarë 8.3 milionë euro./Koha.net/