Z Mobile Prishtina bindëse në triumfin ndaj Donar Groningen

E publikuar: 20/09/2018 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Z Mobile Prishtina ishte nikoqire e Donar Groningen në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve në basketboll (Basketball Champions League).

Ndeshja e zhvilluar në Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë përfundoi me 20 pikë epërsi për vendasit (84-64).

Nikoqirët e nisën mirë sfidën që nga fillimi duke shënuar një pikë më shumë se kundërshtari (20:19) në çerekun e parë.

Paraqitje shumë më të mirë, skuadra vendase bëri në dhjetëminutëshin e dytë (26:14) duke e ngritur shumë më tepër epërsinë, ashtu që shkoi në pushim me 13 pikë diferencë (46-33).

Edhe pas kthimit nga pushimi, kryeqytetasit vazhduan me lojën e mirë, ashtu që në çerekun e tretë i shënuan katër pikë më shumë se kundërshtari (20:16).

Prishtina e ruajti epërsinë edhe në pjesëlojën e fundit duke shënuar tri pikë më shumë se Groningeni (18:15).

Donar Groningen është kampion në fuqi i Holandës, derisa në edicionin e kaluar ka qenë pjesë e Final Four të FIBA Europe Cup. Në anën tjetër, Z Mobile Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar, derisa ditë më parë është stolisur edhe me trofeun e Superkupës së Kosovës.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për basketbollistët bardhekaltër, duke qenë se ndeshja kthimit zhvillohet pas dy ditësh në Groningen. /Telegrafi/