Windows 10 18312 sjell opsione për menaxhimin e diskut dhe resetimin

E publikuar: 10/01/2019 23:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot Microsoft prezantoi një version të ri eksperimental të Windows 10-ës.  Ai sjell përmirësime në menaxhimin e hapësirës, funksionin e resetimit të kompjuterit dhe në nënsistemin e Windows për Linux (WSL).

Përditësimi dërgon numrin e ndërtimit nga 18309 në 18312. Këto ndërtime i përkasin degës 19H1 që përfaqëson një përditësim të Windows 10-ës në gjysmën e parë të këtij viti.

Që kur Windows 10-ta u lançua si shërbim janë publikuar disa përditësime si: Përditësimi i Nëntorit, Përditësimi i Përvjetorit, Përditësimi i Krijuesve, Përditësimi i Vjeshtës së Krijuesve, Përditësimi i Prillit 2018 dhe Përditësimi i Tetorit 2018.

Përditësimi i shtatë i Windows 10-ës ndryshon mënyrën sesi menaxhohet hapësira e diskut.

Të paktën 7GB do të ndahen më vete si hapësirë e rezervuar për përditësime, aplikacione, skedarë të përkohshëm dhe depot e sistemit.

Me këtë ndryshim Microsoft thotë se funksione kritike të sistemit operativ gjithnjë do të kenë akses në disk. Hapësira e rezervuar do të prezantohet automatikisht me 19H1.

Microsoft gjithashtu ka shtuar një pamje të re për funksionin e resetimit të kompjuterit (Settings => Update & Security => Recovery). Pamja e re kërkon më pak klikime.

Ndërtimi gjithashtu shton komanda të reja për WSL. Një prej tyre është importimi i një distroje dhe eksportimi i WSL-së.

Nëse dëshironi të instaloni këtë ndërtim duhet ta bëni në një kompjuter që e shfrytëzoni për qëllime testimi dhe jo në një kompjuter pune. /PCWorld Albanian