Vuçiq: Sonte është krijuar atmosfera se ta shkelësh e ta shkatërrosh Serbinë është mirë

E publikuar: 14/12/2018 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Pas shumë e shumë viteve me kërcënime, sot është themeluar zyrtarisht, në mënyrë ilegale e të padrejtë, e ashtuquajtura Ushtri Kosovës”, ka konstatuar sonte, presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Krejt çfarë kanë bërë shqiptarët është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me aktin më të lartë juridik të tyre, Kushtetutën, siç thonë ata të Republikës së Kosovës, dhe e kanë dëshmuar, ashtu sikurse edhe sponsorët e tyre se nuk u bëhet vonë për të drejtën dhe drejtësinë”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se ky është sulm ndaj serbëve dhe sulm haptazi i Republikës së Serbisë.

Presidenti i Serbisë ka theksuar se sonte është krijuar atmosfera se ta shkelësh e ta shkatërrosh Serbinë është mirë. 18:39

Vuçiqi i drejtohet kombit serb pas formimit të Ushtrisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet popullit serb, sonte me rastin e situatës së krijuar në Kosovë, pasi kjo e fundit me miratimin e tri ligjeve i dha mandat mbrojtës Forcës së vet të Sigurisë.

Ai pritet që të zhvillojë bisedë ne orën 20:00.

Gjatë ditës është raportuar se ai ka qëndruar në një distancë 5 kilometra larg Kosovës.

RTS ka njoftuar se Vuçiqi, njëherësh komandanti suprem i Ushtrisë, ka “vizituar njësitë e ushtrisë serbe në një vend të panjohur”.

Vuçiqi ka thënë se do të vazhdojë të vizitojë pjesëtarët e forcave të armatosura.

Në anën tjetër, Tanjug njofton se ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, vizitoi sot oficerët e xhandarmërisë në bazën në Lipovica, siç thuhet për t’u bindur për gatishmërinë e tyre luftarake.

“Anëtarët e xhandarmërisë dhe të gjitha njësitë e tjera organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të gatshme të kryejnë të gjitha detyrat që shteti imponon, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të kundërshtuar çdo lloj kërcënimi për stabilitetin e vendit tonë”, theksoi ministri Stefanoviq.