Von Cramon: Hijet e nacionalizmit po e pengojnë bashkëpunimin në Ballkan

E publikuar: 10/05/2021 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

1 orë
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se hijet e nacionalizmit vazhdojnë ta pengojnë bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe deklaron se anëtarët e Parlamentit Evropian dhe Bundestagu i kanë dërguar një letër Kancelares gjermane Angela Merkel për t’u siguruar se procesi i Berlinit përfshin pajtimin dhe përparimin e vërtetë.

Ajo vuri në dukje se pa pajtim, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë, asnjë përparim nuk mund të bëhet.

“Sot Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së diskuton për Ballkanin Perëndimor. Hijet e nacionalizimit vazhdojnë ta pengojnë bashkëpunimin, nuk mund të ecim përpara pa pajtim, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë.

Ne i kemi dërguar letër kancelares gjermane Angela Merkel nga Parlamenti Evropian dhe Bundestagu për t’u siguruar që Procesi i Berlinit të përfshijë pajtimin dhe synim të ketë përparimin e vërtetë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Postimit të saj Von Cramon ia ka bashkangjitur letrën, të cilën ajo thotë se eurodeputetët dhe anëtarët e Bundestagut ia kanë dërguar kancelares gjermane Angela Merkel për t’u siguruar që Procesi i Berlinit gjithashtu përfshin pajtimin dhe synon progresin real.

Krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian po mbajnë sot një debat strategjik mbi Ballkanin Perëndimor dhe baza për këtë është një dokument jozyrtar i përpiluar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell.