Vizita e delegacionit të BE-së, këto janë pritjet e përfaqësuesve institucional

E publikuar: 03/05/2018 09:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një delegacion i Bashkimit Evropian pritet që sot të vijë në Kosovë, për të marrë të dhëna rreth zbatimit të ligjit për të luftuar krimin  e organizuar dhe korrupsionin, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në rast se Bashkimi Evropian do të vlerësojë se edhe ky kusht është përmbushur nga ana e Kosovës, atëherë pritet të pasojë edhe faza e vendimmarrjes në BE dhe vendet anëtare, rreth lëvizjes së lirë pa viza për qytetarët e Kosovës.

Sa i përket kësaj, përfaqësuesit institucional shprehen optimist që kjo vizitë e delegacionit të BE-së do të jetë pozitive sa i përket liberalizimit të vizave.

Në një prononcim për Indeksonline nga zyra e informimit të Qeverisë thonë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pret që nga vizita e këtij delegacioni të ketë një vlerësim pozitiv sa i përket kriterit të fundit për liberalizimin e vizave dhe qytetarët kosovarë të lëvizin lirshëm deri në fund të vitit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret vlerësim korrekt, që nënkupton pozitiv për punën e bërë të Qeverisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Kryeministri Ramush Haradinaj beson se ky delegacion shumë i rëndësishëm do të japë vlerësim pozitiv sa i përket kriterit të fundit për liberalizimin e vizave dhe se qytetarët kosovarë do të lëvizin lirshëm deri në fund të vitit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vlerësim pozitiv nga misioni vlerësues që do qëndrojë nesër dhe pasnesër në Kosovë, pret edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Në një prononcim për Indeksonline, Hoxha konsideron se Kosova tashmë ka plotësuar edhe kriterin e fundit, e që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nesër do të qëndroj në Kosovë Misioni vlerësues dhe do të shohim vlerësimin e tyre. Ne, konsideroj se e kemi plotësuar këtë kriter. Institucionet tona kanë treguar përkushtim dhe angazhim në këtë drejtim. Lufta kundër këtyre dukurive është e vazhdueshme, por sa i përket liberalizimit të vizave i kemi përmbushur kriteret. Përcjellja e rasteve ishte e vazhdueshme dhe me prioritet të lartë. Gjithsesi, pres vlerësim pozitiv”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ndryshe, duhet cekur se me ratifikimin e Demarkacionit në mars të këtij viti, ofrimi i dëshmive për luftimin e krimit dhe korrupsionit ka mbetur kushti i fundit që Kosovës i është vënë nga BE për zbatim./Indeksonline/