Vetëvendosje ngushëllon familjarët për viktimat në Kazakistan, akuzon Mustafën e Thaçin

E publikuar: 14/07/2015 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka ngushëlluar familjarët e katër personave që humbën jetën gjatë punimeve në Astana të Kazakistanit. Kjo Lëvizje, përveç ngushëllimit, ka shprehur edhe shqetësimin e tyre për qytetarët që sipas tyre janë të detyruar të mërgojnë për të siguruar ekzistencën.
Ai me këtë rast ka akuzuar kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, të cilët, siç thotë Vetëvendosje, premtojnë qindra mijëra vende pune, e kur fillojnë qeverisjen, s’bëjnë tjetër veç zgjerimit të klientelës, zhvatjes së buxhetit e koncesione Serbisë.
“Konkretisht, Kosova është bërë treg i fuqisë së lirë punëtore, por edhe pre e biznesmenëve matrapazë sepse ajo lëngon nga papunësia, varfëria e moszhvillimi. E të gjitha këto vijnë nga politikat e zbatuara ekonomike tash e 16 vjet; politika që shkatërruan potencialin prodhues, i lanë njerëzit buzë ekzistencës dhe shkatërruan shoqërinë; nga politikanë si Isa Mustafa e Hashim Thaçi”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas tyre, Kosova është nga vendet e rralla në botë që e sheh të zbatuar aq pastër skllavërinë neoliberale. Ata thonë se në Kosovë eksportohen njerëzit, importohen produktet, për t’u eksportuar edhe paratë pastaj.
“Gjuha e ftohtë e ekspertëve na thotë se këto janë kushtet e tregut, ata bile ishin të lirë të zgjidhnin nëse duan të shkojnë ose jo. Por, ja që “kushtet e tregut” janë kushtëzuar nga faktorë konkret subjektivë ku mund të ndikojmë, dhe jo nga natyra objektive e gjërave, apo fuqitë mbinatyrore mbi të cilat s’mundemi as të gjykojmë”, thuhet më tej në komunikatë.