Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Mikiqit

E publikuar: 08/03/2015 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Dardanë, me shqetësim dhe indinjatë të thellë e ka pritur deklaratën e Kryetarit të Komunës së Ranillukut, duke kërkuar nga MAPL që të ndërmarr masa dhe të shkarkojë Gradimir Mikiqin.

“Lista Serbe”, si instrument i politikës së Beogradit në Kosovë, vazhdimisht po na dëshmon orientimin e politikës së saj antishqiptare, thotë Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje me kohë ka treguar për rrezikun që po i kanoset Kosovës nga ky subjekt politik, që mundësinë e operimit të tyre në Kosovë ua dha Hashim Thaçi me marrëveshjet e urukselit. Mikiqi provokon edhe me tej kur propozon emërtimin e një rruge në komunën që ai drejton me emrin e kryekriminelit, shkaktarit të gjenocideve në Ballkan, Sllobodan Millosheviq”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

Vetëvendosje ka përshëndetur vendimin e Kryetarit të Komunës së Dardanës, Begzad Sinani, si hapin e parë për të ndërprerë të gjitha bashkëpunimet e mundshme me Kryetarin e Komunës së Ranillukut, Gradimir Mikiq.

“Ia përkujtojmë Kryetarit Sinani që hapi i dytë është ngritja e padisë në prokurorin e shtetit ndaj provokatorit Mikiq. Hapi i tretë i përket MAPL-së, që të merr masa dhe ta shkarkojë Mikiqin për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe për prishjen e raporteve ndëretnike në Anamoravë”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes, qendra në Dardanë.