Veseli: Qeveria ime do të ketë përfaqësimin më të lartë të grave ndonjëherë

E publikuar: 18/09/2019 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në Konventën e Gruas Demokratike.

I pari i PDK-së Kadri Veseli theksoi përkushtimin e tij që në mandatin e ardhshëm të ketë rritje të pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje ku pohoi që me qeverisjen e tij Kosova do të ketë përfaqësimin më të lartë të grave ndonjëherë, njofton Klan Kosova.

”Zonja të nderuara, ne jemi bijat dhe bijtë e Kosovës ia njohim plagët dhe brengat e vendit tonë. Fuqia e fitores së Partisë Demokratike të Kosovës më 6 tetor, janë gratë. Është krenari për mua që të kem këtë pjesëmarrje kaq të madhe të grave”.

”Lufta kundër korrupsionit është mesazhi ynë në këto zgjedhje. Lufta kundër korrupsionit është vetëm mjeti ejo qëllimi. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një të ardhme për Kosovën duke forcuar ekonominë, me partnerët tanë perëndimorë dhe duke ofruar mundësi që të rinjt të qëndrojnë dhe veprojnë në Kosovë. Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit jo vetëm që do t’i jap fund largimit të rinisë, por do të japë mbështetje edhe për gratë”.

”Mbështetja juaj do të jetë vendimtare për të arritur fitoren në këtë luftë. Unë kam besim të plotë në përkushtimin e grave të Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Të nderuara vajza, të nderuara gra, të gjithë e dimë që qeveritë me përfaqësim adekuat të grave kanë shumë më pak korrupsion prandaj qeveria e ardhshme që do ta drejtojë unë do të ketë përfaqësimin më të lartë të grave që ka pasur ndonjëherë Kosova si shtet”.

Kadri Veseli tha se në mandatin e ardhshëm qeverisës një ndër zotimet e tij kryesore do të jetë ndërtimi i çerdheve në tërë Kosovën, për të lehtësuar pjesëmarrjen e grave në aktivitete shoqërore, njofton Klan Kosova.

”Përmes luftës kundër korrupsionit ne do t’i kursejmë fondet për të cilat do t’i përdorim për fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë. Një ndër zotimet kryesore të mia për mandatin e ardhshëm qevertiar do të jetë ndërtimi i 300 çerdheve në gjithë Kosovën. Shumë nëna të reja do të lehtësohen duke çuar fëmijët në këto çerdhe në mënyrë që të jenë më aktive në shoqëri. Fuqizimi ekonomik i grave është vendimtar për përmirësimin e gjendjes së tyre”.

”Do të angazhohem në një fushatë intenzive për t’i dhënë fund diskriminimit të grave në ndarjen e pasurisë familjare në çështjen e trashëgimisë në mënyrë që ato të kenë më shumë autonomi financiare. Duke qenë i bindur se arsimimi i vajzave dhe grave është një ndër mënyrat më efikase për të përmirësuar statusin social në shoqëri do t’i mbështesim me bursa dhe programe të posaçme arsimore dhe trajnime profesionale”.
”Për të ndryshuar statusin social në shoqëri është shumë me rëndësi të aplikohet toleranca zero kundrejt dhunës ndaj grave e dhunës në familje. Përkrahja e juaj për luftën kundër korrupsionit është jo vetëm nderë por edhe obligim për t’i shkuar deri në fund. Duke qenë bashkë kështu siç jemi sot, duke përçuar mesazhin e Kosovës perëndimore, Kosovës me gra vendimmarrëse, ne mund ta bëjmë Kosovën më të mirë dhe më 6 tetor ne do t’i fitojmë zgjedhjet bindshëm në Republikën e Kosovës. Fitorja e PDK-së do të jetë për të ardhmen e Kosovës për fëmijët tanë për shtetin tonë dhe gratë në vendimmarrje”.