Versioni zyrtar pas incidentit të sotëm në ndeshjen Rahoveci – Ballkani (Video)

E publikuar: 30/04/2017 03:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit të sotëm ndërmjet Rahovecit dhe Ballkanit në Ligën e Parë të Kosovës në futboll ka ndodhur një incident, me ç’rast dy futbollistë janë lënduar.

Koha.net merr vesh se dy futbollistë të Ballkanit janë sulmuar nga tifozët vendas, njëri prej tyre me elektroshok dhe tjetri është lënduar nga gurët.

Një tifoz, që ishte në vendin e ngjarjes, thotë se sulmi ka ndodhur pas provokimeve dhe sharjeve që futbollistët e Ballkanit kishin bërë. Sipas tij, futbollistët i kanë ofenduar tifozët duke i quajtur “shkije dhe bugarë”.

“Futbollistët e Ballkanit janë sulmuar me elektroshok pasi thirrjeve që bënë në drejtim të tifozëve duke i quajtur ‘bugarë’ dhe ‘shkije’. E gjithë kjo ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes, edhe sharjet edhe sulmet. Më pas ka reaguar edhe ndihma e shpejtë”, ka thënë ai për Koha.net në kushte anonimiteti.

Nga ky sulm janë distancuar tifozët e KF Rahovecit, “Vreshtarët”. Ata insistojnë se lojtarët e Ballkanit janë sulmuar nga tifozë të thjeshtë, ndërsa mohon se ata janë sulmuar me elektroshok.

“Vreshtarët” shprehin keqardhje për atë çfarë ka ndodhur sot në Rahovec.

“Futbollistët e Ballkanit nuk janë sulmuar nga ne, përkundër që na kanë sharë. Shikuesit dhe njerëzit e tjerë i kanë sulmuar me gurë, por jo me elektroshok. Ne si tifozëri nuk sulmojmë lojtarë. Shprehim keqardhje si tifozëri për lojtarët që janë në gjendje të rëndë, por as ata nuk është dashur të shajnë”, ka thënë për “Kohën Ditore”, Hasan Vuçitërna, kryetar i “Vreshtarëve”.

Një video nga kjo ngjarje e ka siguruar faqja në Facebook “Fansat e Futbollit Kosovar”, të cilën mund ta shikoni më poshtë.