Ushtria arreston diktatorin famëkeq, shpërthejnë festimet në Zimbabve

E publikuar: 16/11/2017 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtria e Zimbabves që mori me forcë pushtetin ka arrestuar diktatorin famëkeq, presidentin Robert Mugabe. Mësohet se ai mbahet në arrest shtëpie në kryeqytetin Harare. Lajmi u bë i ditur nga Jacob Zuma, Presidenti i Afrikës së Jugut.

Sipas BBC-së, Zuma kishte biseduar në telefon me liderin e arrestuar, për t’u siguruar që është shëndoshë e mirë.

Mësohet se kryeqyteti po kontrollohet nga trupat e ushtrisë që pas momentit kur morën nën kontroll televizionin shtetëror.

“Ne po i drejtohemi vetëm kriminelëve që po shkaktojnë vuajtje sociale dhe ekonomike në vend. Sapo të kemi përmbushur misionin tonë, ne presim që situata të kthehet në normalitet”, thekson në një njoftim ushtria.

Ky veprim mund të jetë një përpjekje për të zëvendësuar Mugabe me zëvendëspresidentin e shkarkuar, Emmerson Mnangagwa, thonë korrespondentët e BBC-së.

Shkarkimi i Mnangagwa javën e kaluar parashikonte gruan e Mugabe, Grace, si pasardhësen e mundshme të presidentit.