U kthyen nga burgjet dhe kampet hungareze 35 kosovarë (Video)

E publikuar: 25/03/2015 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdon kthimi i kosovarëve që ilegalisht ikën nga Kosova. Vetëm sot nga kampet dhe burgjet hungareze janë kthyer 35 persona nëpërmjet rrugëve tokësore, ndërsa pritet që shpejt të kthehen edhe shumë autobusë të tjerë, raporton KTV.
Por, megjithëse u kthyen nga burgjet, disa nga të kthyerit nuk e përjashtojnë mundësinë të marrin sërish të njëjtën rrugë me qëllimin e vetëm të ikin nga Kosova.

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme që kishin dalë në pikën kufitare në Merdar për të pritur të kthyerit nga Hungaria, kanë treguar se ky është vetëm fillimi dhe do ketë edhe shumë autobusë të tjerë me azilkërkues që do të riatdhesohen në Kosovë nëpërmjet rrugëve tokësore.

Të gjithë të kthyerit fillimisht i janë nënshtruar marrjes në pyetje në zonën kufitare, ndërsa më pas disa janë shoqëruar nga familjarët, e disa të tjerë me autobus të organizuar nga MPB-ja për në Prishtinë, e pastaj nëpër vendet prej nga vinin secili prej të kthyerve.

Shumica prej të kthyerve nuk deshën të flisnin para kamerave, ndërsa të tjerë rrëfyen tmerrin që kanë përjetuar në burgjet e Hungarisë.